Më shumë se 50 analistë të Komandës Qendrore të SHBA-ve kohët e fundit kanë thënë se pretendimet e ashtuquajtura, pafuqia e “Shtetit Islamik”, janë ekzagjeruar në masë të madhe.
Nëse pohimet e analistëve janë të sakta, ndoshta është koha për të shtruar pyetjen që të gjithë duket se qëllimisht e kanë shmangur: Çfarë do të ndodhë nëse ISIS-i nuk mund të mposhtet? A duhet atëherë ne të pranojmë mundësinë e një fitoreje të ISIS-it?
Ne nuk jemi duke folur për një lloj të fitores globale “konvertim apo vdekje” që do të gjejë botën të konsumuar nga ambiciet apokaliptike të udhëheqjes megalomane të ISIS-it.
Në vend të kësaj, cili do të ishte lloji më bindës i fitores, “pajtohem të mos pajtohem”” ose të paktën “pajtohem të jemi armiq të vdekshëm”, për ISIS-in?
Ndoshta diçka shumë më pragmatike, të qenit në gjendje për të qeverisur në mënyrë efektive territoret që tashmë i kontrollojnë dhe të mbrohen me sukses kufijtë e të ashtuquajturit, kalifatit të tyre, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Nga një perspektivë e qartë ISIS-i është duke bërë pikërisht atë. Ata tashmë janë duke përmbushur nevojat e rëndësishme ditore të një shteti: paguajnë pagat komunale, lëshojnë dokumente të udhëtimit, dhe kanë funksionalizuar shkollat dhe spitalet.
Megjithatë, në kohën kur ky lloj i administrimit të bëhet status-quo, mposhtja e ISIS-it bëhet më pak rreth synimeve të shënjestrimit të udhëheqësve ose shpartallimit të rrjeteve terroriste sesa në lidhje me shkatërrimin e një sistemi të tërë të qeverisjes politike dhe ushtarake.
“Ata [ISIS] po fusin tepricat në sistem”, tha Will McCants për “VICE News”, autor i “ISIS Apocalypse” dhe drejtor i projektit amerikan për marrëdhëniet e SHBA-ve me botën islame në Institutin “Brookings”.
“Ata janë duke i dhënë komandantëve në terren dhe guvernatorëve shumë më tepër liri dhe hapësira, kështu që edhe në qoftë se eliminohet Kalifi [Ebu Bekr el Bagdadi] nuk do të humbasë domosdoshmërisht Kalifati”, shkruan “Zëri”.
Shumë vëzhgues tani janë dakord se mposhtja e ISIS-it do të jetë më e vështirë. Sa më gjatë që grupi mbijeton kundër koalicionit ndërkombëtar që është formuar në mënyrë të qartë kundër tyre, aq më shumë kredibilitet ata mund të ndërtojnë si një lëvizje, aq më e madhe bëhet aftësia e tyre për të tërhequr luftëtarët e huaj, ideologë radikal dhe ndihmës lokal.
Nick Heras, një anëtar i asociuar në Fondacionin “Jamestown” dhe studiues në Lindjen e Mesme pranë qendrës “New America Security”, tha për “VICE News”, se “në plotëkuptimin e fjalës, ISIS e ka arritur tashmë fazën e parë të fitores, duke mbijetuar për më shumë se një vit kundër koalicionit të madh multinacional të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Ata ruajtën shumicën e territoreve të tyre në Irak dhe zgjeruan territorin e tyre në Siri”.
Për t’u mbështetur mbi këtë sukses, ajo çfarë ISIS realisht mund të bëjë në mënyrë që të bëhet plotësisht fitimtar, është vetëm të këmbëngulë në atë që tashmë ka bërë, si një ekonomi që mund të gjenerojë të ardhura për të mbështetur luftëtarët e vet, si një lëvizje teologjike që mund të legjitimojë ambiciet politike të Kalifatit dhe, më e rëndësishmja, si një organizatë ushtarake që vazhdimisht mund të zgjerohet dhe të fitojë territore të reja.
“Faza e dytë është tani për ISIS-in që krejtësisht të bashkëpunojë me lëvizjen revolucionare siriane”, tha Heras, i cili shpjegoi se grupi mund të ketë sukses vetëm si një lëvizje fetare pasi grupet tjera kryengritëse kanë shfaqur besnikëri të përbetuar për ISIS-in, duke përfshirë edhe ata të lidhur me “Al Qaeda”-n, siç është grupi “Jabhat al Nusra”, përcjell “Zëri”.
Duke pasur parasysh sipërfaqen e territorit që ISIS aktualisht e administron, ky nuk është një skenar krejtësisht i çmendur ose krejtësisht i pamundur.
Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, pas pushtimit të qytetit të lashtë të Palmirës në maj, ISIS tani kontrollon gati gjysmën e territorit të Sirisë, e cila nuk është vetëm me rëndësi jetike për ideologjinë ekspansioniste të ISIS-it; ajo gjithashtu sugjeron se lëvizja revolucionare e Sirisë mund të rrëshqasë plotësisht në përqafim të ISIS-it, ashtu si në Irak.
Dhe, edhe pse koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ka një strategji që përfundimisht të “degradohet dhe të mposhtet” ISIS-i, e cila mbështetet në një strategji të sulmeve ajrore dhe ndihmës ushtarake që nuk adreson katastrofat politike që ISIS i ka shfrytëzuar në plan të parë, duke përfshirë sektarizmin, fraksionizmin, dhe mungesës së qeverisë përfaqësuese.
As kjo strategji nuk është e lidhur me prioritetet rajonale të vendeve të tjera të përfshira në konflikt.
Sipas një raporti të inteligjencës të publikuar në “VICE News”, një kompani globale për menaxhimin e rrezikut me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, interesat e ndryshme në Lindjen e Mesme ndërmjet vende të tilla si Irani, Arabia Saudite, Jordania, Turqia, Rusia dhe SHBA, kanë reduktuar ndjeshëm mundësinë për t’u rreshtuar së bashku deri në mposhtjen e një grupi të tillë siç është ISIS-i.
Ajo çfarë po “zihet” është mundësia që vendet të cilat kufizohen me territoret e ISIS-it munden përfundimisht të heqin dorë nga perspektiva për shkatërrimin e ISIS-it në favor të zhvillimit të politikave hermetike. Me dashje apo jo, kjo do të përcaktonte kufijtë e Kalifatit dhe në mënyrë efektive do të ndaheshin territoret me ISIS-in.
“Ekziston mundësia që ata [ISIS] të bëhen shtet de facto dhe ne do të duhet të merremi me ta”, sipas “GhaidoHeto”, një firmë konsultimi për rreziqet politike. “Sa më shumë shtete që do të fortifikonin kufijtë e tyre përgjatë këtyre linjave tangjente, gjërat mund të arrijnë deri në atë pikë ku duhet negociuar me ISIS-in në të ardhmen”.
Përkundër shumë “sukseseve” të ISIS-it, çdo fitore hipotetike ka të ngjarë të jetë e rrënjosur në themelet islame që janë përdorur për të justifikuar Kalifatin, dhe kjo është ajo ku ISIS e gjen veten në një terren gjithnjë në lëkundje, mes pasigurisë mbi popullaritetin në botën më të gjerë myslimane.
Në shtator të vitit 2014, një grup i dijetarëve islam ndërkombëtar i shkruan letër Bagdatit, duke sfiduar pretendimet e udhëheqësit të ISIS-it për të përfaqësuar komunitetin global mysliman apo umetin.
Yasir Qadhi, një nga dijetarët kryesorë islamikë të Amerikës dhe nënshkrues i letrës, tha për “VICE News” se “është e pamundur për ISIS-in të fitojë popullaritet dhe mbështetje në rast se vazhdon këtë rrugë të brutalitetit absolut. Unë as nuk e shoh këtë si një mundësi të largët”.
Ai vazhdoi duke thënë se, “nëse ata [ISIS] do të kishin qenë më njerëzorë, më demokratikë, më shumë guximtarë, dhe që vërtetë të ndjekin mësimet e zakonshme të përqafuara nga myslimanët, atëherë ata do të kishin pasur një sukses shumë më kumbues se që aktualisht e kanë”.
Të tjerë udhëheqës fetarë mendojnë se mungesa e pranimit nga ana e komunitetit botëror mysliman mund të jetë përparësi për ata që punojnë rreth mposhtjes së ISIS-it. Abdelaziz al Sheikh, myftiu i madh i Arabisë Saudite (autoriteti më i lartë fetar në vend), madje shkoi aq larg sa që e quajti ISIS-in “armikun numër një të Islamit”.
Pra, në vend se të joshin mbështetjen e myslimanëve për një projekt islam si Kalifati, hipoteza e ISIS si një autoritet fetar i shoqëruar me dhunën e tyre ekstreme mundet përfundimisht të minojë suksesin e vet dhe të rezultojë në një sferë të ngushtë të ndikimit që kurrë nuk do të zgjerohet përtej zonave të thella irakiane dhe siriane, shkruan “Zëri”.
“Çështja e legjitimitetit duhet të sqarohet nga ata që e proklamojnë, dhe përderisa një pjesë e madhe e botës myslimane nuk bie dakord për të ndjekur të menduarit e tyre, kurrë nuk do të ketë asnjë legjitimitet të vërtetë [për Kalifatin]”, tha Dr. Qadhi.
Tani për tani nuk ka asnjë garanci se ISIS do të jetë fitimtar, as nuk ka ndonjë garanci se ata do të mposhten gjithashtu. Megjithatë, mbijetesa e dukshme e ISIS-it, reflekton një lloj fitoreje, pasi që ekzistenca e tij vazhdon të sfidojë të gjitha pritshmëritë.
“Mund të vërehen realitetet politike që ISIS-i është shumë më tepër se një grup terrorist, shumë më tepër se një kryengritje, por nuk duhet të pranojnë shtetësinë e tij në përjetësi”, thotë McCants.
Megjithatë, pa një plan koherent që mund të çmontojë infrastrukturën e shtetndërtimit të ISIS-it dhe të zëvendësohet ajo me zgjidhje të realizueshme politike, ka pak arsye të pritet që ata janë duke u larguar diku, të paktën jo së shpejti.