Këtë të martë ishte parashikuar një mbledhje e rëndësishme e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, e cila kishte të ftuar kreun e SHISH Visho Ajazi, por që është anulluar për shkak të incidentit të ndodhur ditën e djeshme mes deputetëve Spartak Braho e Flamur Noka.
Demokrati nuk u përmbajt dhe ju drejtua me një gjuhë të ashpër kreut të këtij komisionit duke i thënë:
“Si e lejon Tahirin të largohet nga mbledhja. Të dhj… mu në kryetar që je. Nuk je i aftë të drejtosh një komision”
Lidhur me këtë fakt ka folur sekretari i Komisionit, Pirro Lutaj, i cili e cilësoi një shfaqje të shëmtuar sjelljen e Nokës dje në komision, ndërsa deklaroi se u propozua marrja e masave ndaj deputetit.
“U propozua marrja e masave ndaj Flamur Nokës. Kjo sjellje e deputetit nuk është hera e parë”, tha Lutaj.
Kështu është vendosur që Byroja e Parlamentit të mblidhet këtë të martë për të vendosur nëse do të dënojë Flamur Nokën për gjuhën e përdorur. Byroja do të mblidhet në orën 16:00./java/a.k