Deputetja e Partisë Socialiste, Briseida Çakërri, ka komentuar buxhetin e vitit 2027 dhe paketën fiskale, duke i cilësuar ato si masa me fokus social, që synojnë përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe rritjen e fuqisë së tyre blerëse.
Në një intervistë për emisionin “News Line”, Çakërri u ndal te ulja e TVSH-së, mbështetja për shtresat në nevojë dhe familjet e reja përmes nismave të strehimit, si dhe taksimi i hoteleve me pesë yje, duke theksuar se agroturizmi përjashtohet nga kjo masë.
Ajo deklaroi se buxheti synon t’u japë përgjigje nevojave të qytetarëve dhe situatës ekonomike, ndërsa nënvizoi rëndësinë e dialogut dhe dëgjimit të kërkesave të tyre.
“Është një buxhet që na bën krenar, është një buxhet social dhe që i përfshin të gjithë. Paketa fiskale tregon një përmirësim të jetës, do të kenë më shumë mundësi dhe fuqi blerëse me paratë e tyre. Do të kenë mundësi edhe që të kursejnë, sepse do të ulet TVSH-ja. TVSH-ja nuk është një takse që përfshin bizneset, e paguajmë të gjithë.
Është keqinformuar opinioni publik në mënyrë keqdashëse. Biznesi nuk ndikohet nga pjesa e TVSH-së. Efekti që sjell në buxhetin e shtetit, do të kemi më pak lekë në buxhetin e shtetit. Taksa do u vendoset hotelerisë, bëhet fjalë për hotelet që janë me 5 yje, këtu përjashtohet agroturizmi. Është buxhet social, edhe nga kërkesat që u thanë në Bulevard.
Shumë çifte të reja dhe familje do të përfitojnë nga nisma e strehimit. Fokusi i buxhetit është tërësisht social, do të mbështesë shtresat e mesme dhe ato në nevojë. Do të mbështesim ata që kanë më pak. Vjen edhe si një përgjigje e situatës, por edhe si një ndryshim.
Po ta lexosh situatën me kujdes, tregon pse ne jemi me buxhetin më të lartë në histori, sepse ndryshe nuk do të ndodhte. E gjithë kjo synon që t’u reflektohet në jetën e përditshme. Qytetarët kanë të drejtë që të dëgjohen, prandaj dhe ne shpesh kemi bërë thirrjen për dialog”, tha deputetja e PS.









