Deputeti Ervin Bushati, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste për Tiranën deklaron se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk arriti të ngjitet kurrë në nivelin e një partie politike. Gjatë një interviste në “Neës 24”, Bushati shprehet se LSI ka mbetur në kornizën e një lëvizjeje shtëpiake e cila vazhdon të trajtohet si pronë familjare dhe është shumë larg të qenit një familje politike.
“LSI vazhdon të mbetet një lëvizje. Nuk arriti dot të bëhet një parti, ndonëse një lëvizje shtëpiake. Mbeti pronë e atyre që e kanë shtëpi, nuk është as familjare se të thuash një familje politike është fjalë e madhe, por është një lëvizje shtëpiake që nuk arriti dot të bëhet një parti,” deklaron Bushati.
Duke iu referuar programit elektoral që LSI shpalli sot Bushati tha se si një forcë që pretendon të quhet socialiste nuk mund të vendoste kurrsesi në thelb të programit ekonomik taksën progresive që iu shërben vetëm të pasurve.
“S’është parë ndonjëherë që një lëvizje që ka titullin socialiste të vendosë taksën e sheshtë në ato nivele që ndihmon shtresat e pasura dhe lë 92-93% të popullsisë jashtë,” u shpreh ai./a.p