Kryeministri britanik, Andy Burnham ka deklaruar se është i hapur ndaj thirrjeve për një kërkimfalje zyrtare për rolin historik të Britanisë në skllavëri, përpara se të marrë pjesë në samitin e Komonuelthit javën e ardhshme.
Burnham tha se Britania po ofron një dialog të strukturuar me ata që preken nga tregtia transatlantike e skllevërve, në të cilën të paktën 12.5 milionë afrikanë u rrëmbyen dhe u shitën si skllevër.
“Dëgjimi i thirrjeve për një kërkimfalje zyrtare në emër të shtetit britanik do të përbëjë një pjesë të rëndësishme të këtij procesi dhe unë jam i hapur ndaj tyre”, shtoi ai.
Por Burnham hodhi poshtë thirrjet për dëmshpërblime financiare.
“Nuk mendoj se populli britanik sot mund të mbahet përgjegjës për padrejtësitë historike, sado të tmerrshme, që ndodhën në një epokë tjetër nën ligje të ndryshme dhe në të cilat ata nuk luajtën asnjë rol personal’, tha ai.
Nga shekulli i 15-të deri në shekullin e 19-të, miliona afrikanë u shitën si skllevër nga tregtarët evropianë, me Britaninë që transportoi rreth 3.2 milionë njerëz përtej Atlantikut, sipas Bazës së të Dhënave të Tregtisë Transatlantike të Skllevërve.
Përpara Takimit të Krerëve të Qeverive të Komonuelthit në Antigua dhe Barbuda javën e ardhshme, Mbreti Charles, i cili po bën turne në Karaibe, tha se ishte e drejtë që të pranojnë vuajtjet dhe padrejtësitë e mëdha të së kaluarës.
The post Burham i hapur për kërkim falje zyrtare për skllavërinë, por përjashton dëmshpërblimet appeared first on Euronews Albania.
Burimi: Botë











