Festivali Evropian i Këngës Eurovision 2027 do të organizohet në qytetin bregdetar të Burgasit në maj të vitit të ardhshëm. Vendimi u njoftua nga Unioni Evropian i Radiodifuzionit (EBU) dhe Televizioni Kombëtar Bullgar (BNT).
Edicioni i 71-të i konkursit do të zhvillohet në Arena Burgas, një prej ambienteve më të reja sportive dhe argëtuese në Bullgari, e inauguruar në vitin 2023. Dy gjysmëfinalet janë planifikuar për 11 dhe 13 maj 2027, ndërsa finalja e madhe do të mbahet më 15 maj 2027.
Për Bullgarinë, Eurovision 2027 shënon herën e parë si vend organizator i konkursit. E drejta për ta pritur spektaklin erdhi pas triumfit të artistes bullgare DARA në Eurovision 2026 në Vjenë, ku ajo fitoi me këngën Bangaranga.
Burgasi siguroi organizimin pas një gare mes katër qyteteve bullgare. Krahas tij, kandidaturat për mikpritjen e Eurovisionit u paraqitën nga Sofja, Plovdivi dhe Varna.
Vlerësimi i ofertave iu besua një grupi ndërkombëtar pune me përfaqësues të BNT-së dhe EBU-së, profesionistë me përvojë në organizimin e Eurovisionit dhe ekspertë ndërkombëtarë. Grupi analizoi kandidaturat, inspektoi hapësirat e propozuara dhe u takua me ekipet e bashkive.
Organizatorët sqaruan se zgjedhja e Burgasit u mbështet te ndërthurja e infrastrukturës me kapacitetet teknike, mundësitë e akomodimit, transportin dhe lidhjet ndërkombëtare. Në vendim ndikoi gjithashtu mbështetja e fuqishme e autoriteteve vendore.
Megjithatë, edicioni i vitit 2027 nuk synohet të mbetet i kufizuar vetëm në Burgas. Gjatë javës së festivalit, Sofja, Plovdivi dhe Varna do të bëhen pjesë e programit kulturor e argëtues përmes aktiviteteve shoqëruese të Eurovisionit.
Kryebashkiaku i Burgasit, Dimitar Nikolov, tha se pritja e këtij eventi përbën një nder të jashtëzakonshëm, duke nënvizuar synimin që në Eurovision të përfshihet i gjithë vendi.

“Nuk bëhet fjalë që një qytet po pret Eurovisionin. Bullgaria po pret Eurovisionin – një komunitet i tërë, i bashkuar dhe i frymëzuar.”
Kalendari i Eurovision 2027 parashikon gjysmëfinalen e parë më 11 maj 2027, gjysmëfinalen e dytë më 13 maj 2027 dhe finalen e madhe më 15 maj 2027.
Përpos tri mbrëmjeve televizive, publiku do të mund të shohë edhe gjashtë shfaqje paraprake, të programuara në periudhën nga 10 deri më 15 maj.
Të interesuarit për bileta duhet fillimisht të regjistrohen në Eurofan, klubin zyrtar falas të fansave të Eurovisionit. Biletat do të dalin në shitje në një moment të mëvonshëm.
Si qyteti i katërt më i madh në Bullgari, Burgasi dallohet për plazhet, parqet, festivalet verore dhe jetën kulturore. Gjatë javës së Eurovisionit, organizatorët duan ta shndërrojnë qytetin në një qendër të madhe të muzikës dhe argëtimit.
Në Burgas do të organizohen aktivitete të ndryshme, mes tyre Eurovision Village dhe EuroClub. Programi i plotë kulturor pritet të bëhet publik gjatë muajve të ardhshëm.
Drejtori i Eurovision Song Contest, Martin Green, deklaroi se Burgasi bashkon në mënyrë të veçantë identitetin kulturor, infrastrukturën dhe atmosferën karakteristike të një qyteti bregdetar. Ai shprehu synimin për realizimin e një Eurovisioni “vërtet bullgar”, i cili njëherazi të ruajë tiparet dalluese të spektaklit të madh muzikor evropian.











