Komisioni Evropian ka miratuar një paketë mbi rishikimet e politikave para zgjerimit me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe Shqipëria.
Në paketën e bërë publike këtë të martë nga Komisioni Evropian përcaktohen orientimet dhe veprimet e politikave të nevojshme për të përgatitur unionin për zgjerimin.
Në paketën e sotme, Komisioni ofron një vlerësim të thelluar të politikave të unionit në dritën e zgjerimit të ardhshëm.
Ai përcakton se si korniza ekzistuese e Traktatit dhe traktatet e ardhshme të anëtarësimit mund të përdoren për të përgatitur bashkimin për një anëtarësim më të gjerë, informon TCH.
Ai gjithashtu propozon një sërë masash mbrojtëse për traktatet e ardhshme të anëtarësimit, duke përfshirë masa mbrojtëse më të forta sektoriale dhe një klauzolë të re mbrojtëse institucionale, për të siguruar që angazhimet e ndërmarra gjatë negociatave të anëtarësimit të vazhdojnë të përmbushen në mënyrë të qëndrueshme pas anëtarësimit.
“Duke u mbështetur në përvojën e zgjerimeve të mëparshme, Komisioni do të propozojë, në Komunikatën e Zgjerimit të vitit 2026, harta treguese të rrugës që ofrojnë një ecuri për hapat e ardhshëm në procesin e anëtarësimit të vendeve më të avancuara në negociata: Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën, me kusht që ato të ruajnë ritmin e reformave,”, bëhet e ditur në dokumentin e Komisionit Evropian.
Përfitimet para anëtarësimit dhe pjesëmarrja e Shqipërisë në tregun evropian
Strategjia e re synon që qytetarët dhe bizneset shqiptare të ndiejnë përfitimet e integrimit përpara se vendi të bëhet anëtar me të drejta të plota. Përmes mekanizmit të “integrimit gradual”, Shqipëria ka nisur tashmë përfshirjen në struktura me rëndësi praktike, siç është Zona Teknike e Pagesave në Euro (SEPA) dhe procesi për heqjen e tarifave roaming.
“Shqipëria, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë nisur pjesëmarrjen në skemat SEPA, duke mundësuar pagesa ndërkufitare më efikase në euro. Procesi nuk zëvendëson, por plotëson dhe përforcon agjendën e anëtarësimit, duke ndërtuar kapacitete administrative dhe besim të ndërsjellë,” nënvizon raporti.

Forcimi i shtetit të së drejtës dhe monitorimi i vazhdueshëm
Përparimi i Shqipërisë dhe vendeve të tjera me status kandidat mbetet i kushtëzuar rigorozisht nga kapitujt e “Themeloreve” (Fundamentals), ku përfshihen reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut. BE-ja do të vazhdojë shtrirjen e mekanizmave monitorues, përfshirë Raportin për Shtetin e Së Drejtës, për të siguruar që reformat të jenë të qëndrueshme.
“Përgatitja për anëtarësim kërkon më shumë se thjesht përafrim ligjor; institucionet duhet të funksionojnë në mënyrë efektive në praktikë dhe reformat duhet të jenë të qëndrueshme. Monitorimi, stimujt dhe zbatimi do të përbëjnë një kornizë të vazhdueshme që shtrihet edhe përtej momentit të anëtarësimit,”, theksohet në dokumentin e BE-së.
Mbrojtja e traktateve dhe mekanizmat e garancisë
Për të garantuar funksionimin e brendshëm të bllokut pas pranimit të anëtarëve të rinj, Komisioni Evropian propozon përfshirjen e klauzolave të rrepta të mbrojtjes në traktatet e ardhshme të anëtarësimit. Këto masa synojnë të parandalojnë çdo prapakthim eventual në respektimin e vlerave evropiane apo pengesat politike mes fqinjëve.
“Traktatet e ardhshme të anëtarësimit duhet të përmbajnë garanci më të forta kundër prapakthimit serioz nga zotimet e ndërmarra gjatë negociatave, veçanërisht sa i përket shtetit të së drejtës, demokracisë dhe të drejtave themelore. Në rastet më të rënda, masat mund të përfshijnë pezullimin e përkohshëm të të drejtave të votës në Këshill,”, sqaron Komisioni Evropian.











