Kryetari i Komisionit të Ekonomisë njëherësh deputeti i Partisë Socialiste Erjon Braçe ka reaguar ndaj Partisë Demokratike dhe paralajmërimit të bërë prej saj për protesta në shtator,
Përmes një postimi në Facebook, Braçe ironizon thirrjen e PD-së për protestë. Sipas Braçes protestat e opozitës kanë si qëllim që të mbulojnë paligjshmërinë gjatë 8 viteve të qeverisjes së tyre.
Dhe kjo pasi siç nënvizon Braçe politika është sot mburoja më efektive ndaj çdo akti korruptiv dhe çdo të korruptuari. Për deputetin socialist, kjo është arsyeja pse Lulzim Basha del në protestë.
“Do të nisë protestat Lulzim Basha?! Po pse jo?! Është lajmëruar një hetim për të për leje ndërtimi të paligjshme dhe kate shtesë mbi leje ndërtimi, të paligjshme dhe ato!! Arrin në disa milionë dollarë “e ardhura”, në formën e ryshfetit që paguhet për gjithë këtë paligjshmëri! Personalisht nuk kam pikën e besimit se hetimi do arrij tek Lulzim Basha. Ka një arsye. Politika është sot mburoja më efektive ndaj çdo akti korruptiv dhe çdo të korruptuari. Mbrohet duke shuar jehonën mbi hetimin. Nuk duhet të flitet për këtë aferë korruptivë, nuk duhet të dëgjojë kush për të.! Firmosi “ndërtimin” e rrugës Rrëshen Kalimash, u vu nën hetim, u largua nga detyra për ta mbyllur atë “histori” dhe u mbyll; Firmosi “marrëveshjen e detit”, u vu nën akuze pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, u largua nga detyra për ta mbyllur atë “histori” dhe u mbyll; Kaloi urdhrin për të vrarë më 21 janar, u vu nën akuzë, u largua nga detyra për ta mbyllur atë “histori” dhe u mbyll. Kështu mendon dhe tani. Unë u largova nga zyra e bashkisë, tani nuk ka përse të më hetojë kush; tani duhet akuzuar qeveria, ajo është shënjestra; paratë e mia s’ka përse i heton kush”, thekson Braçe.