Borxhet e CEZ, Prokuroria: S’ka dëshmitar të mbrojtur
Prokuroria shqiptare nuk ka dëshmitar të mbrojtur në çështjen e hetimit për skandalin e mbledhjes abuzive të borxheve të ish-kompanisë CEZ nga kompania e Kastriot Ismailajt, biznesmen i arrestuar për këtë çështje, raporton “Panorama”.
Pas prezantimit të faktit në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, ku u bë me dije se një dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë në çështjen e CEZ-it po kërcënohej kohët e fundit, gazeta “Panorama” ka pyetur zyrtarisht në Polici dhe në Prokurori. Personazhi për të cilin bëhet fjalë është ish-drejtori ekzekutiv, i kompanisë DIA në Shqipëri.
Kjo kompani në pronësi të Kastriot Ismailajt hapi zyrë në Tiranë, pasi mori përsipër mbledhjen e borxheve të kompanisë CEZ nga klientët e mëdhenj që nuk kishin likuiduar energjinë elektrike. Policia e Shtetit ka thënë dje për gazetën se nuk ka marrë deri dje në mbrëmje asnjë denoncim nga ky person për kanosje apo ndonjë kërcënim ndaj tij.









