Nga Lorenc Vangjeli/
Opozita duket se ndodhet në dilemën për të zgjedhur mes PS-së dhe LSI-së. Mes Ramës dhe Metës. Apo mes dy gjysmave të së njëjtës mollë të kalbur, siç i quante dikur dy partitë e majta zoti Berisha. Zyrtarisht edhe sot opozita përpiqet të duket e barazlarguar nga dy palët, përveç zgjidhjes naive që i dha fushatës së saj të fundit kur identifikoi si kundërshtar kryesor jo PS-në apo koalicionin e majtë, siç do të ishte e udhës, por vetëm një pjesë të tij, siç ishte LSI. Në këtë drejtim ecën në mënyrë të papritur dhe aleati kryesor i PD-së, republikani Fatmir Mediu. Në një intervistë të gjatë tek MAPO ai flet për zgjedhjet e fundit dhe projektimin e aleancave politike në të ardhmen.
Në këtë sesion parlamentar ish-kryetari i PR-së Fatmir Mediu do të mbahet mend, së paku deri më tani, për dy konflikte shumë të fortë me dy drejtuesit e maxhorancës së majtë. Njëherë me Ramën, njëherë me Metën.
Me të parin sharjet kapën përmasë kozmike sa kohë me kryeministrin flitej për dimensionin e pafundëm të budallallëkut dhe kufinjtë e Universit.
Me Metën sherri ishte për zgjedhjet në bashkinë e Vorës. Por më shumë se me kryetarin e Kuvendit, kryetari republikan e nxorri inatin me dy deputetë të tij, Ramën e Bitrin të cilët i ftoi të dy veç e veç e të dy bashkë për një dorë grusht jashtë Kuvendit. Për të matur trimërinë në boksim dhe jo në fjalë siç po ndodhte. Mediu shprehu dhe dëshmoi politikisht dhe bindjen e tij për preferencat seksuale të dy deputetëve të LSI-së.
Herën e parë, arsyet për sherrin me kryeministrin nuk i kuptoi as Rama vetë, që ndërsa nuk ja përtonte debatit me batuta me republikanit, i përsëriste se nuk kishte asgjë personale me të dhe se ai po grindej kot.
Herën e dytë, sherri i tij me kryetarin e Kuvendit është shumë më i thellë sesa duket në sipërfaqe. Ai ka nisur me largimin e një deputeti të tij në rradhët e LSI-së, në një proces që ai e quan pazar, ndërsa deputetin “gjë të gjallë” dhe ka kulmuar me garën për bashkinë e Vorës. Momenti i bllokimit të fabrikës së miellit të kandidatit demokrat solli shpërthimin jo të zakontë të aleatit republikan. Dhe natyrisht me shumë të drejtë; kushdo do të reagonte në të njëjtën mënyrë për shkak të miellit sepse mielli zbulon, nxit dhe krijon pasione të fortë, të thellë e të luhatshëm.
Sot, në një intervistë të gjatë, Fatmir Mediu bën një zbulim të madh. Ai tregoi zgjedhjen e tij; përballë Ramës dhe Metës, do të preferonte të parin për një marrëveshje të mundshme të opozitës. “E djathta duhet që në moralin e saj të mos jetë oportuniste me të keqen apo të vrojtojë me veshët ngrehur se prishja e Ramës me Metën është zgjidhja jonë. Kjo është shkatërruese”, thotë ai duke theksuar se do të ishte “…më mirë një koalicion me PS-në sesa një pazar në kurriz të shqiptarëve me LSI-në”.
Një deklarim i tillë më shumë se moralin e Mediut dëshmon dhe njëherë humorin e opozitës në përgjithësi. E dalë sërish e humbur nga zgjedhjet e 21 qershorit, e gjendur në të njëjtën diferencë shifrash mes koalicionesh, duket se e djathta e sheh ardhjen në pushtet vetëm duke ju afruar njërës apo tjetrës “gjysme” të së majtës. Dhe kjo është logjika e aritmetikës së shifrave politike në vend.
Në 2009-ën Berisha përpara zgjedhjeve deklaronte se i shihte edhe PS-në, edhe LSI-në si dy gjysma të së njëjtës molle të kalbur. Vetëm pak javë më pas ai do të bëhej si Borëbardha; do të hante njërën gjysmë molle për t’u zgjuar në pushtet.
Gjashtë vjet më pas Mediu mendon ndryshe. Reformat konsensuale e natyrisht edhe pushteti, realizohen duke ngrënë gjysmën tjetër të mollës, gjykon ai. Pra, më mirë PS-ja dhe jo LSI-ja, siç ka dëgjuar “…gjatë dy fushatave të fundit eksponentë të PD-së…”
Eshtë ende herët të flitet për aleancat zgjedhore të 2017-ës, por një gjë është e sigurt që tani: dikush duhet ta hajë! Dikush duhet të bëhet sërish si Borëbardha dhe do ta hajë me siguri! Dhe Borëbardha në Shqipëri, sipas logjikës politike të shifrave, është e djathtë.