Bordi i Transparencës ka vendosur sot të rrisë çmimin e naftës, ndërkohë që është aktivizuar dhe vendimi i qeverisë për uljen e akcizës me 20%.
Sipas vendimit të Bordit, një litër naftë do të tregtohet në tregun e pakicës në 224 lekë, nga 218 lekë që ishte më parë, me një rritje prej 6 lekësh.
Nëse nuk do të ishte ulur akciza, çmimi me pakicë i naftës do të ishte 233 lekë, ose 9 lekë më shumë sesa u vendos çmimi i pakicës sot.
Benzina do të tregtohet me 181 lekë, e pandryshuar.
Gazi nuk ishte pjesë e vendimarrjes së kësaj mbledhjeje, çka do të thotë se çmimi i tij mund të rritet nga operatorët.
Çmimet hyjnë në fuqi në orën 20.00 të ditës së sotme, kur fillon e zbatohet dhe akciza e reduktua.
Vendimi erdhi pasi një ditë më parë Çmimi i Platts Gasoil CIF (USD/TON), një çmim reference ndërkombëtar për naftën (diesel/gasoil) që përdoret në tregtinë globale, arriti në 1617 dollarë, me rritje prej 195 dollarë nga dita e mëparshme dhe ai FOB (free on Board, pa transport dhe sigurim) 1572 USD, dhe ky çmim reflektohet sot në Dogana në vend. Në bazë të këtij çmimi taksohet nafta dhe vlera vetëm e taksave në doganë arrin 105 litër. Në bazë të këtij çmimi bëhet dhe zhdoganimi i naftës nga operatorët vendas, sipas shpjegimeve të tyre, pavarësisht se kur është blerë.
Psh, nga data 27 shkurt, kur Platts ishte 763 dollarë, ai arriti në 1435 dollarë 27 mars, ose 672 dollarë më shumë dhe 1617 dollarë dje, ose 730 dollarë më shumë se në 2 mars, duke u mbi dyfishuar.
Akciza deri më sot ishte 39.4 lekë dhe sipas vendimit të fundit të qeverisë, akciza ka zbritur në 31.5 lekë, ose 8 lekë më pak. Duke i shtuar dhe TVSH-në, efekti është 9.4 lekë për litër.
Bordi i transparencës së Hidrokarbureve u riaktivizua për të dytën herë, pasi ishte krijuar fillimisht gjatë krizës në Ukrainë në 2022-n. Vendimi i parë që mori Bordi ishte në 27 mars, duke ulur çmimet e naftës nga 214 në 203 lekë për litër.
Por, kjo ulje nuk zgjati as 24 orë. Pasi operatorët u ankuan se këto çmime ishin nën kosto dhe ata do të pezullonin furnizimin me naftë, Bordi u mblodh sërish një ditë më parë dhe në 28 mars e rriti çmimin në 218 lekë për litër, që ishte në fuqi deri sot.
Në Shqipëri, elementi që shton më shumë barrën fiskale është taksa e qarkullimit prej 27 lekë për litër. Akciza është fikse, 39.4 lekë për litër dhe 3 lekë është taksa e karbonit. Mbi këto llogaritet TVSH-ja, që është 20% mbi çmimin final (përfshirë taksat e tjera), ndryshe nga rajoni që TVSH nuk e ngarkon mbi taksat e tjera. Taksat mbi naftën në Shqipëri janë sa dyfishi i rajonit.
NJOFTIMI:
Bordi i Transparencës në datë 3 Prill 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 224 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 212 lekë/litër. Kjo në zbatim të Aktit Normativ të miratuar sot, niveli i akcizës u ul 20 % ose e bashkë me TVSH ulja me 9.5 lek/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 181 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 169 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 3 ora 20.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtëj vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministirinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarw dhe ruajtjes së parimeve të konkurencës së ndershme në treg.











