Kandidati i pavarur për Bashkinë Tiranë, Gjergj Bojaxhi prezantoi të mërkurën paradite programin e tij për mirëqeverisjen e Bashkisë. Që në fillim, Bojaxhi theksoi se mirëadministrimi dhe mirëfunksionimi i Bashkisë është kusht themelor për përmirësimin e shërbimeve që Bashkia ofron për qytetarët dhe programeve për zhvillimin e qytetit. Për këtë arsye, mirëadministrimi i Bashkisë është pikënisja e programit të tij dhe diskutimit të tij me publikun.
Ai premtoi depolitizim total të Bashkisë. Kryetari i Bashkisë dhe asnjë drejtues i saj nuk do të kenë poste drejtuese në asnjë formacion partiak. Punonjësit e Bashkisë që nga nën Kryetarët e deri tek punonëjsit e thjeshtë do të zgjidhen me konkurs të hapur publik bazuar vetëm në aftësitë dhe integritetin e tyre, pavarsisht preferencave apo përkatësisë së tyre partiake. Bojaxhi shprehu vullnet të qartë për të luftuar korrupsionin dhe kapjen e Bashkisë nga bizneset që përfitojnë prej saj në kurriz të interesit të qytetarëve. Ai u shpreh se pa këtë vullnet, çdo program është thjesht demagogji dhe mashtrim.
Nga ana tjetër Bojaxhi premtoi përfshirjen e publikut në vendim-marrje përmes zbatimit të referendumeve lokale, konsultimeve me publikun dhe seancave javore të pyetje-përgjigjeve me publikun.









