Bodibilder deri në fund të jetës/ 90-vjeçari japonez stërvitet gjashtë ditë në javë dhe vijon të fitojë tituj

Toshisuke Kanazawa nuk e ka ndërprerë pasionin për bodybuilding-un edhe pse ka mbushur 90 vjeç. Ai vazhdon të ngrejë pesha, të marrë pjesë në gara dhe të shtojë trofe në karrierën e tij, duke e konsideruar këtë sport një pjesë të pandarë të jetës.

Japonezi numëron 19 tituj kombëtarë dhe gjashtë tituj botërorë në kategorinë Masters. Disa prej këtyre sukseseve i ka arritur edhe pasi kishte kaluar moshën 80-vjeçare.

Kanazawa lindi në vitin 1936, në Prefekturën Shimane, pranë bregdetit të Detit të Japonisë. Fillimisht ai u mor me not dhe, gjatë shkollës së mesme, u shqua në garat e 1,500 metrave stil i lirë. Në atë periudhë synonte të merrte pjesë në Lojërat Olimpike, por një problem muskulor i dha fund kësaj ëndrre dhe e drejtoi drejt bodybuilding-ut.

Zgjedhja për t’iu përkushtuar këtij sporti nuk u pranua lehtë nga babai i tij.

“Nëna ime ishte e kujdesshme, por më mbështeti. Babai im, nga ana tjetër, ishte plotësisht kundër, sepse mendonte se të rinjtë duhet të punonin”, ka rrëfyer Kanazawa.

Ai u premtoi familjarëve se do të bëhej bodibilderi më i mirë në Japoni, ndonëse e kuptonte se për ta realizuar këtë objektiv do t’i duheshin vite. Për pesë vjet me radhë, stërvitja u bë përparësia e tij kryesore: ai qëndronte rreth gjashtë orë në ditë në palestër dhe ushqehej me vakte të thjeshta që ia përgatiste nëna. Paratë që fitonte nga punët e rastit, mes tyre edhe shpërndarja e pajisjeve elektrike, i përdorte kryesisht për të blerë qumësht dhe djathë.

Kur ishte 24 vjeç, Kanazawa fitoi për herë të parë titullin Mister Japonia. Tre vite më pas, ai e përsëriti këtë arritje. Në vitin 1967, në Montreal, mori pjesë në garën Mr Universe, ku konkurroi edhe përballë Arnold Schwarzenegger dhe Sergio Olivës, i cili në fund fitoi atë event. Kanazawa u rendit i katërti.

Pas një shkëputjeje të gjatë nga garat, ai u rikthye në bodybuilding kur mbushi 50 vjeç. Ai ka shpjeguar se një nga arsyet e këtij vendimi ishte edhe dëshira për të motivuar bashkëshorten e tij, e cila vuante nga probleme kronike shëndetësore.

“Gruaja ime më ka mbështetur gjithmonë, por ajo sëmurej shpesh. Pas daljes në pension kuptova se e kisha lënë veten pas dore dhe doja t’i dëshmoja se gjithçka ishte e mundur”, është shprehur ai.

Shtatë vjet pas rikthimit në skenë, ai triumfoi në Kampionatin Masters. Më vonë, koleksionit të tij iu shtuan edhe gjashtë tituj botërorë në kategorinë Masters, të fituar pasi kishte kaluar moshën 80-vjeçare.