Në seancën plenare të Kuvendit u zhvillua një interpelancë urgjente mes deputetit të opozitës Luciano Boçi dhe ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, lidhur me rezultatet e testimit ndërkombëtar PISA 2025 dhe mënyrën e përzgjedhjes së shkollave pjesëmarrëse.
Deputeti Boçi, gjatë fjalës së tij, theksoi se çdo fillim viti shkollor prindërit kanë shpresën që fëmijët e tyre të mësojnë më shumë, të kuptojnë botën që i rrethon dhe të kenë përparësi krahasuar me brezat e mëparshëm.
Ai ngriti shqetësimin se pas çdo rezultati të rëndësishëm, si ai i testimit PISA, ka prindër që sakrifikojnë, ka shkolla që kërkojnë mbështetje dhe ka nevojë për vendime të drejta mbi bazën e një vlerësimi të plotë e të besueshëm.
“Zonja ministre, OECD ka evidentuar një fakt konkret: shkollat me më pak se 21 nxënës, të përshtatshme për testimin PISA, nuk u kontaktuan për zhvillimin e testimit dhe për pasojë nuk morën pjesë. Këtu nuk flasim për nxënës që munguan ditën e testimit apo për shkolla që refuzuan pjesëmarrjen, por për shkolla që nuk u kontaktuan nga Ministria e Arsimit. Ky është një boshllëk strukturor, një mungesë mbulimi të kampionit, që sipas OECD nuk mund të justifikohet me rregullime statistikore.
Boçi akuzoi se OECD ka evidentuar një fakt konkret, shkollat me më pak se 21 nxënës nuk janë kontaktuar për zhvillimin e testimit dhe për pasojë nuk kanë marrë pjesë.
Sipas tij, kjo nuk lidhet me mungesën e nxënësve ditën e testimit apo me refuzimin e shkollave, por me një boshllëk strukturor të Ministrisë së Arsimit.
“Si pasojë, Shqipërisë i aplikohet një raportim i kufizuar, me tendenca të pjesshme ndërmjet cikleve dhe me kufizime mbi të dhënat e pyetësorëve. Kjo do të thotë diçka konkrete: një pjesë e nxënësve shqiptarë, sidomos ata të zonave rurale dhe me vështirësi ekonomike, nuk janë matur fare. Vendimet për ndërhyrjet pedagogjike, për mbështetjen e shkollave dhe ndarjet buxhetore merren tani, por ato duhet të mbështeten mbi një vlerësim të besueshëm dhe të plotë, jo mbi një pamje të cunguar të realitetit.
Deputeti kërkoi të dihet kush vendosi që këto shkolla të mos kontaktoheshin, mbi cilin akt apo udhëzim u mbështet ky vendim, cilët funksionarë e miratuan dhe zbatuan, si dhe nëse ky trajtim ishte i miratuar nga OECD apo konsorciumi ndërkombëtar i PISA-s. Ai kërkoi gjithashtu të bëhen publike të dhënat e plota mbi numrin e shkollave dhe nxënësve të përjashtuar, të ndara sipas qarqeve dhe profilit social-ekonomik, si dhe masat e marra nga Ministria pas informimit nga OECD.
Në përgjigjen e saj, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro mohoi kategorikisht akuzat për manipulim dhe theksoi se PISA është një vlerësim ndërkombëtar i administruar nga OECD dhe konsorciumi ndërkombëtar, me procedura të standardizuara kampionimi, të cilat nuk mund të ndryshohen nga zyrtarë të veçantë apo nga ministria sipas interesit politik.
“PISA nuk është një provim që Ministria e Arsimit e organizon sipas dëshirës së vet, ashtu siç nuk është as një listë shkollash që një zyrtar shqiptar mund ta shkurtojë apo ta zgjerojë sipas interesit politik të momentit. Është një vlerësim ndërkombëtar, me rregulla kampionimi të përcaktuara nga OECD-ja dhe nga konsorciumi ndërkombëtar që e drejton këtë proces në më shumë se 90 vende të botës, dhe këto rregulla zbatohen njësoj, pavarësisht se cila qeveri qëndron në pushtet kur zhvillohet testimi. Prandaj, kur dëgjoj të thuhet se ‘dikush ka vendosur të përjashtojë shkolla’ nga ky proces, në mos qoftë dezinformim me dashakeqësi që s’dua ta besoj, e kuptoj menjëherë se po ngatërrohen dy gjëra thelbësisht të ndryshme: një procedurë statistikore ndërkombëtare, e vendosur shumë kohë para se testimi të fillojë, dhe një supozim politik për ndërhyrje të qëllimshme”, u shpreh Kumbaro.
Ministrja sqaroi se pjesëmarrja e nxënësve në shkollat e përzgjedhura ishte 97.37%, shumë mbi standardin minimal prej 80% të kërkuar nga OECD. Ndërsa pjesëmarrja e shkollave në kampion arriti rreth 80%, pak nën pragun teknik prej 85%, por kjo sipas saj është e dokumentuar dhe nuk është fshehur.
“Standardi teknik i OECD-së kërkon që pjesëmarrja e shkollave në kampion të jetë të paktën 85%; Shqipëria arriti rreth 80%, dhe ky është fakt që nuk e kemi fshehur asnjë ditë — është pjesë e vetë materialit teknik që shoqëron testimin. Por standardi tjetër, po aq i rëndësishëm, kërkon që brenda shkollave të përzgjedhura pjesëmarrja e vetë nxënësve të jetë të paktën 80%; Shqipëria arriti 97,37%. Dhe kjo shifër e dytë, kolegë deputetë, është ajo që rrëzon vetë themelin e akuzës për manipulim: sepse nëse dikush do të kishte dashur të ‘përzgjidhte’ cilët nxënës të dalin mirë në test, do ta kishte bërë pikërisht këtu, duke lënë jashtë testimit nxënës të caktuar brenda shkollave që tashmë ishin pjesë e kampionit. Kjo nuk ka ndodhur. Gati çdo nxënës i thirrur u paraqit, u testua, dhe rezultati i tij u regjistrua ashtu siç ishte”, vijoi Kumbaro.
Ministrja hodhi poshtë idenë se përzgjedhja e shkollave ka ndjekur ndarjen qytet-fshat, duke theksuar se metodologjia është statistikore dhe ndërkombëtare.
Ajo solli edhe shifrat e pjesëmarrjes ndër vite, duke treguar se në ciklin e vitit 2022 morën pjesë rreth 6 mijë nxënës, ndërsa në atë të vitit 2025 morën pjesë 5.959, duke dëshmuar se shpërndarja demografike mbetet praktikisht e njëjtë.
Kumbaro prezantoi edhe rezultatet e PISA 2025 për Shqipërinë, duke nënvizuar përmirësimin e ndjeshëm krahasuar me vitin 2022: 433 pikë në matematikë (+65 pikë), 435 pikë në shkencë (+59 pikë), 408 pikë në lexim (+50 pikë), si dhe një renditje më të lartë në komponentin e Zgjidhjes Kompjuterike të Problemeve krahasuar me disa vende të rajonit.
“E nëse krahasohemi me veten, me vitin 2022, Shqipëria arriti: +65 pikë në matematikë; +59 pikë në shkencë; +50 pikë në lexim. Këto janë shifra që tregojnë se sistemi ynë arsimor po ecën përpara dhe se nxënësit shqiptarë po përmirësohen ndjeshëm në raport me vetveten dhe me vendet e rajonit”, përfundoi Kumbaro.











