Dëmtimi i rrugës që lidh Tiranën me juglindjen ka ngarkuar trafikun në doganën e Bllatës.
Pas marrëveshjes me Maqedoninë e Veriut i gjithë trafiku, kryesisht mjetet e rënda, janë kthyer nga Qafë Thana në drejtim të Bllatës dhe nëpërmjet rrugës së Arbrit drejt Tiranës e Durrësit.
Vetëm dy ditët e fundit, janë përpunuar rreth 400 kamionë, të cilët vijnë nga Greqia, Turqia, Bullgaria e Maqedonia e Veriut.
Janë me qindra kamionë që presin radhën për t’u përpunuar, por kapacitetet përpunuese janë të vogla.
Mungesa e një terminali doganor, numri i vogël i doganierëve dhe agjentëve doganorë, numri i ulët i kontrollorëve të policisë dhe mungesa e kabinave vështirësojnë situatën dhe krijojnë radhë të gjata, raporton gazetari i Klan News, Neki Feta.
Dogana e Bllatës, pas hapjes së rrugës së Arbrit, ka marrë rreth 30% të trafikut të Qafë Thanës edhe në ditë të zakonshme.
Fakti që distanca Shkup – Qafë Thanë – Tiranë është 298 km, ndërsa Shkup – Dibër – Tiranë është 212 km, rreth 85 km më pak, ka bërë që qytetarët nga Maqedonia perëndimore të zgjedhin këtë rrugë për të ardhur në Shqipëri.











