Arratia e autorit që i vuri eksplozivin në shtëpinë e kreut të FSHF-së, Armand Duka ka zgjatur vetëm 24 orë. Mbrëmjen e kësaj të marte ka rënë në prangat e policisë 34-vjeçari Arlen Hasanaj.
Hasanaj është pronar i një biznesi privat në qytetin bregdetar, më konkretisht i kompanisë ‘Euroshop Durrës’ themeluar në korrik të 2020, me ortak Albi Lika.
Kjo kompani ka si veprimtari përveç market bar-kafes, edhe në fushën e prodhimit, magazinimit të prodhimeve të ushqimeve blegtorale e bujqësore.
Dyshimet e para janë se ngjarja ka ardhur si pasojë e një konflikti për biznesin, kjo pasi, kur inspektorët e Tatimeve shkuan një ditë më parë për kontroll në ambientet e kompanisë së vezëve “aiba”, në pronësi të kreut të FSHF-së, Armand Duka dhe vëllait të tij deputet, Agron Duka thanë se kanë pasur denoncim nga një kompani që mendohet të jetë ‘Euroshop Durrës’.
Ndërkohë, Hasanaj rezulton edhe pronar i një biznesi ku shitet gjithçka me 1 euro.
I riu u kap nga kamerat e sigurisë duke i vënë eksplozivin në derën e shtëpisë, i cili fatmirësisht përfundoi pa të lënduar. 34-vjeçari po merret në pyetje në ambientet e Policisë së Shtetit
Uniformat blu thonë se kanë të gjitha provat që e inkriminojnë Hasanajn, si autor i kësaj ngjarjeje./m.j