Bisedimet që kanë për qëllim t’i japin fund konfliktit në Siri, do të rinisn më 9 mars në Gjenevë, ka bërë të ditur i dërguari i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Staffan de Mistura. “Data 7 mars, 2016, është caktuar fillimisht si datë për rifillimin e bisedimeve, por një shtyrje e shkurtër ka qenë e nevojshme për të ofruar kohë të mjaftueshme për adresimin e çështjeve logjistike dhe praktike”, ka thënë Mistura. Rrethi i parë i bisedimeve, të cilat kanë nisur në fillim të muajit të kaluar, është ndërprerë, pasi Rusia ka intensifikuar sulmet ajrore në Siri, në mbështetje të forcave të presidentit sirian, Bashar al-Assad.
Palët ndërluftuese, me përjashtim të grupit ekstremist Shteti Islamik dhe Frontit Al Nusra, kanë nisur të shtunën një armëpushim, i cili është ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia. OKB ka thënë se armëpushimi po respektohet gjerësisht, me gjithë incidentet e izoluara të luftimeve. Konflikti civil në Siri ka nisur në mars të vitit 2011. Mbi 260,000 njerëz kanë humbur jetën dhe miliona të tjerë janë larguar nga shtëpitë.