Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Aleksandër Biberaj, ishte i ftuar në Klan News për të folur mbi aktualitetin politik mbrëmjen e kësaj të premteje.
I pyetur nga gazetari Besard Jacaj, mes të tjerash edhe për ish-deputetë të opozitës që kanë marrë poste nga qeveria, Biberaj zbuloi se edhe ai ka pasur ofertë nga kryeministri.
“Ofertë kam pasur edhe unë nga Edi Rama, por nuk jam tunduar për asnjë moment. As nuk më ka shkuar në mendje. Kanë qenë oferta për pozicione të rëndësishme politike, të cilat unë i kam refuzuar pa asnjë lloj dyshimi. Përgjigjja ime ka qenë korrekte, gjykoj: Unë jam i djathtë dhe nuk kam nevojë për një mandat deputeti. Dhe për kuriozitet, përgjigjja e tij ka qenë: Pse, unë jam i majtë?”, tha Biberaj.
I pyetur në lidhje me skenarët e protestës së radhës të opozitës, Biberaj u përgjigj: “Organizatorët e protestës do të shohin mundësinë e diversifikimit të saj. Mund të bllokohen rrugë, porte, aeroporte… Mund të rrihet aty (në Bulevard) me orë, ndoshta me ditë, ose ndoshta edhe me net. Këto janë mendimet e mia, por protesta është një e drejtë civile dhe qytetare.”
Partia Demokratike dhe aleatët e saj opozitarë do të protestojnë sërish kundër qeverisë më 20 shkurt, në 35-vjetorin e rrëzimit të shtatores së ish-diktatorit Enver Hoxha nga Sheshi “Skënderbej”.











