Olimpiada RIO 2016 ka përfunduar, por la pas shumë skandale për drejtuesit dhe sportistët shqiptarë. “Fiks Fare” sjell problemet e delegacionit, nga mungesa e parakalimit në ceremoninë hapëse të peshëngritëses Evagjeli Veli, tek debatet mes Briken Çaljes dhe Viron Bezhanit, e deri te mosregjistrimi në garë i notarit Sidni Hoxha.
Gazetarët pritën ekipin në Rinas, ndërsa stafi pranoi se kishte bërë edhe pushime. Ata thanë se ekipi ishte kompakt, por gjatë një bisede me kamer të fshehtë me presidentin e KOKSH, Viron Bezhani, dolën në pah shumë prej skandaleve.
Bezhani: Nuk e di çfarë brekësh vesh atletika
Bezhani, anëtar i LSI-së pranoi me zë dhe figurë se Elez Gjoza (Ish-kryetar i Njesise Bashkiake nr. 2 në Tiranë, nen siglen e LSI-së), Presidenti i Federatës së Peshëngritjes, do që t’i marrë postin.
Ai tregon edhe për problemet me kostumet. Thotë se nuk mund t’i qepte me shpejtësi një kostum Velit.
Për Evagjeli Velin thotë se e kanë marrë nga rruga dhe, megjithëse zuri vëndin e 8, ishte shumë e dobët.
Për Luiza Gegën thotë se i ka plotësuar të gjitha kushtet, i ka paguar udhëtimet në Kenia, si dhe kushtet e stërvitjes në Elbasan dhe Korçë. Ai tha se nuk është detyra e tij që ti mundësojë pengesa apo gropë me ujë Luizës, duke ia deleguar këtë përgjegjësi Federatës së Atletikës.
“Unë nuk e di se çfarë brekësh vesh atletika” tha Bezhani. Ai pranoi se në RIO ka pasur edhe mbyllje dere, duke iu referuar ngjarjes mes Elez Gjozës (Presidentit të Peshëngritjes) dhe Leonard Toskës (trajnerit të Briken Çaljes).
“Ata janë zënë dhe kur i shikoj në Tiranë, ishin krah për krah” thotë Bezhani. Ai “kërcënoi” babain e notarit Sidni Hoxhës se do e padisë në prokurori.
Briken Çalja: Në Rio, me 200 USD pare xhepi
Gazetarët e “Fiks Fare” folën me disa protagonistë në RIO 2016. Peshëngritësi Briken Çalja thotë se mori vetëm nga 200 euro pare xhepi. Fiksi transmetoi procesverbalin, ku Brikeni firmos marrjen e këtyre parave.
Ai thotë se nuk i bënte kostumi kur do të garonte, ndërsa shton se nuk ka marrë bursë. Për të gjithë këto probleme akuzon kreun e KOKSH, Viron Bezhani. “Unë nuk jam kokë turku. Përfaqësoj veten dhe familjen time. Nuk më intereson se kush do të bëhet kreu i KOKSH” tha për “Fiks Fare”, Briken Çalja.
Sahit Prizreni: Ika me Australinë se më përzunë
Gazetarët biseduan me një tjetër sportist, mundësin Sahit Prizreni, i cili në RIO ishte në ekipin australian: Ika se më përzunë. Garova për Australinë se s’më dhanë bursë në Shqipëri. Ai shton se bursa në peshëngritje ishte për një mundës që nuk është as kampion në Shqipëri. Shton se Federatën e Mundjes, me ndihmën e politikës, pritet ta marrë Arben Ndoka, deputeti me precedentë penalë.
Luiza Gega: Kushtet e stërvitjes më dëmtuan
Një tjetër sportiste që foli për kamerën e Fiksit ishte ehde atletja Luiza Gega. Ajo thotë se kushtet e stërvitjes ndikuan në dëmtimin para olimpiadës. “Nuk kisha pengesa, ujë për gropë. Në fillim të vitit i bëra një kërkesë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ku i kërkova rreth 25 mijë euro. Nuk mora asnjë përgjigje…” thotë Luiza.
Top-Channel