Nga Mero Baze
E vetmja ankesë reale që Lulzim Basha ka për projektin e Unazës së Re, është se kumbarit të vajzës së tij, nuk i kanë dhënë lotin më të madh. Me sa duket, në pazarin paraprak të tij me zyrtarët e qeverisë, ai kishte kërkuar pjesën e luanit në tender, që të mos merrte pjesë në protestë.
Gjërat nuk kanë funksionuar deri në fund siç ka bërë pazarin dhe ai sot u është bashkuar banorëve që protestojnë për shtëpitë e ndërtuara në gjurmën ku do të kaloj Unaza. Deri këtu e kuptojmë hallin e tij.
Por më tej nuk kuptojmë se çfarë politike mund të bëjë një kryetar opozite i djathtë, me hallin e 300 familjeve që për fat të keq, do përballen me një proces të dhimbshëm shpronësimi.
Llogaria e parë që ai mendon se bën, janë votat e 300 familjeve.
Po e zëmë se ja falim ato vota, por atij nuk i bëjnë punë. Problemi i tij nuk është se gjuan si hiena, vota hallexhinjsh që i mashtron, pse nuk i ka dalë pazari i tij i gjobës, por fakti që ai nuk nxjerr dot në votime demokratët e partisë së tij.
Në zgjedhjet e fundit ai humbi 240 mijë vota nga PD, dhe nuk besoj se i bëjnë punë votat e 300 familjeve që shumica thonë se kanë votuar PS-në.
Mund t’i marrë ato vota, por nuk i hyjnë në punë. Dhe shumë mirë që nuk i hyjnë në punë, se larg qoftë sikur me ato vota të fitonte pushtetin, kumbari i tij do ta vazhdonte tenderin që ka fituar dhe do t’i prishte përsëri ato shtëpitë. Thjesht atij mund t’i jepte dhe një lot më shumë.
“Beteja e Astirit” nuk është betejë mes të majtës e së djathtës, nuk është betejë as kundër natyrës së qeverisjes. Ajo është një vepër publike që po bëhet me paratë e qeverisë.
I vetmi korrupsion në atë histori, është që i është dhënë një lot tenderi kumbarit të Lulzim Bashës, pasi u ka premtuar se Lulzimi, si në çdo rast që paguhet, nuk do protestojë. Për këtë ja vlen të protestohet kundër tendencës korruptive të qeverisë, por jo kundër detyrimit që qeveria ka ndaj kryeqyetit për Unazën, dhe që po realizohet me shumë vonesë.
Çdo qeveri e këtij vendi është e dënuar ta bëjë atë Unazë dhe duhet ta bëjnë një orë e më parë. Kësisoj, “Beteja e Astirit”, që Lulzim Basha, si çdo kauzë që i del rrugës, tenton ta bëjë betejë të vetën, thjeshtë ia shton rastin e betejave të humbura të tij.
Banorët e zones, përveçse do të kompensohen, apo do të marrin qira për një afat tre vjeçar, mund të fitojnë dhe gjëra të tjera nga beteja e tyre, por një gjë është e qartë, që ata nuk mund të bllokojnë ndërtimin e Unazës.
Dhe të kthesh në betejë të opozitës, një betejë, fundi i së cilës është i parashkruar, do të thotë ose të jesh tërësisht pa ide si opozitë, ose të jesh mërzitur shumë që nuk i ke marrë lotet që të janë premtuar.
Nëse kemi parasysh Kalimashin, kjo e dyta ka më shumë mundësi të jetë arsyeja përse Luzlim Basha është aty.
Por mbi të gjitha, “Beteja e Astirit” tregon kaosin e ideve të opozitës dhe sikletin e saj përballë qeverisë. Siç mund ta shikoni, ata përpiqen të bëjnë hero të betejës së tyre Erion Veliajn, i cili është aq i eksituar nga qejfi për këtë, saqë edhe pse nuk ka asgjë në dorë aty, as projektin, as tenderin, as shpronësimet, i del zot duke e kthyer në kalë beteje, ngaqë i intereson protagonizmi politik me opozitën.
Në fakt, Lulzimi edhe pse është në betejën e gabuar, për aq betejë sa është, duhet ta kishte me qeverinë, por me sa duket ka frikë mos i ka mbet ndonjë mesazh, ndonjë sekseri, me ministrin për tendering, dhe po bën hero Erion Veliajn, sikur po e ndërton ky i fundit Unazën.
Ky është i vetmi lider opozite që bën çdo gjë gabim dhe nuk e bën se është budalla, por se është i kapur.
Deri tani “Astiri” ishte i njohur si një vend ku bëheshin bojrat, kurse tani e tutje do mbahet mend si një vend ku do t’i dalë boja opozitës së Bashës, për atë që po përpiqet të bëjë.