Qindra besimtarë ortodoksë në qytetin e Vlorës kanë marrë pjesë këtë të premte në ceremoninë e shenjtë të daljes së Epitafit, një nga ritualet më të rëndësishme që paraprin festën e Pashkëve
Epitafi, i mbajtur nga klerikët dhe i shoqëruar nga besimtarë të shumtë, u përcoll me solemnitet, ndërsa policia ishte e pranishme për të garantuar mbarëvajtjen e aktivitetit dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve.
Me qirinj në duar dhe në një atmosferë përkushtimi, qytetarët ndoqën këtë traditë të përvitshme, e cila simbolizon dhimbjen dhe shpresën për ringjalljen e Krishtit.

Edhe besimtarë ortodoksë të qytetit të Beratit kanë kremtuar sot të Premten e Zezë, e cila simbolizon përkujtimin e vuajtjeve të Jezu Krishtit dhe vdekjen e tij në kryq. Riteve të organizuara në Katedralen e “Shën Dhimitrit” dhe nē Kishën e Goricës, ju janë bashkuan qindra besimtarë ortodoksë beratas, që u bënë pjesë e këtij rituali, që simbolizon varrin e Krishtit.
Kanë qenë Mitropoliti i Beratit, Imzot Asti ai që ka drejtuar edhe ritet fetare në Katedralen e “Shën Dhimitrit”,ku besimtarët janë lutur për shëndet, mirësi dhe lumturi.
Pas kryerjes së shërbesën së mbrëmjes së të Premtes së Zezë, Imzot Asti, i shoqëruar At Johan Qako dhe At Petraq Simsia, kanë kryer edhe ritualin e Epitafit, që fillimisht ka shëtitur përreth oborrit të Katedrales së Shën Dhimitrit për disa minuta e më pas është kapërcyer nga besimtarët.
Pas përfundimit të riteve fetare, Epitafi,i shoqëruar nga besimtarët ortodoks,ka përshkruar shëtitoren e qytetit, një ritual ky i përvitshëm në qytetin e Beratit.
Dy epitafët,ai i dalë nga Katedralja e Shën Dhimitrit dhe ai i dalë nga Kisha e Goricës, janë bashkuar në Urën e Varur, ku pas kryerjes së riteve të rastit ,janë kthyer në kishat nga dolën. E premtja e Zezë shënon vdekjen e Jezu Krishtit në Kryq, për t’u ringjallur mesnatën e së Shtunës, kohë kur kulmojnë edhe kremtimet e Pashkëve. E premtja e Zezë i paraprin të dielës së Pashkëve, ku ceremonitë fetare mbahen si çdo vit në Katedralen e Shën Dhimitrit, në qendër të qytetit të Beratit.











