Nga Ben Andoni
Staatssicherheitsdienst, thjesht STASI, ishte Sigurimi Shtetëror i Republikës Demokratike Gjermane (RDGJ) në kohën komuniste. Qindra-mijëra gjermanë punuan në të, por më shumë u ndoqën, u burgosën dhe u vranë thjesht për të përjetësuar sundimin e klikës së Erik Honecker. Edhe pse në vitin 1989, STASI ndërmori një fushatë të tërë të prishte dosjet e saj të përndjekjes, gjermanët e thjeshtë arritën të kapin mbi 95% të dokumenteve të paprekura. Zbulimi, identifikimi dhe procesi që ka nisur me to ka nxjerrë në pah jo thjesht një nga armatat më të këqija të Shërbimeve Inteligjente në botë, por edhe strukturën e ngatërruar dhe ashpërsinë e saj të represionit human…
Kur Muri i Berlinit ra në Nëntor të vitit 1989, një urdhër i brendshëm në STASI, kërkoi shkatërrimin e listave me emrat e informatorëve të fshehtë dhe shumë nga listat e operacioneve të saj. Atëkohë procesi vijoi natë e ditë me grirëset e letrave, me djegiet, përzierjet e hireve të dokumenteve me ujë dhe në fund plot 45 milion faqe të dosjeve të STASI-it u shqyen dhe prishën. Kjo ishte maja e ajsbergut. Burri, që na tregon, hesht dhe na shikon. Ai ishte një nga ata, që u dynd me bashkëqytetarët e tij, të shpëtonin ç’të mundnin. Dëmi ishte bërë gjithsesi. Mbeturinat u vendosën në plot 15.000 thasë, ku përmblidheshin gati më shumë se 600 milionë copa letre. Kjo shifër që qëndronte dy vjet më vonë, pas ribashkimit të Gjermanisë para zyrtarëve të Agjencisë për Komisionin Federal për Procesverbalin e STASIT (BStU) ishte nga më të vështirat probleme në historinë e këtij lloji. Burri që na i shpjegon ka qenë i burgosur prej STASI-t dhe sot në ish-godinën, ku ruan arkivat në Berlin-Lichtenberg, është një nga njerëzit kryesore që po merren me rregullimin e trashëgimisë…E përkthen një grua re, që njësoj si ai, njeh çdo pjesëz të arkivit dhe që na ruan, të mos lëvizim nga një perimetër i ngushtë. “Kemi pasur dhe shumë njerëz të STASI-t, që na kanë ndihur”, na thotë një moment…Ngre supet, sikur të na thotë: Ç’ti bësh? Pse?“Duhen dhe ata. Kush mund t’i njihte më mirë këto vende”.
Hohenschönhausen Memorial
Pak orë më parë, pak më larg prej këndej, pasi kemi ndërruar disa herë metronë dhe kemi marrë një tren, jemi gjendur në Hohenschönhausen Memorial, një muze-burg, vendosur në veri-lindje të Alt-Hohenschönhausen në Berlin. Na pret një burrë, që menjëherë na ka thënë se ka qenë i përndjekur. Befas na lë dhe përqafohet me dikë. Është i veshur krejt me të zeza. Ka një kapele, që më kujton Gjon Millin; pantallona; këmishë; pulovër; xhaketë të zezë. Gjithçka zi. Ka mustaqe gati tip-Hitleri dhe flet në mënyrë shumë baroke. Nuk më duket si gjerman, por fajësoj veten dhe dyzimin prej një viroze. Flet ngatërrueshëm anglisht, por për fat është tepër i kuptueshëm. Ligjërata është disi monotone, por në gjithë këto ditë STASI-n e kemi pasur kudo ndaj thjesht e lemë monologun e vet. “STASI u themelua më 8 shkurt 1950. Wilhelm Zaisser ishte ministri i parë i Sigurimit të Shtetit të RDGJ, kurse Erich Mielke ishte zëvendësi i tij. Këta të dy janë më të rëndësishmit e këtij shërbimi. Mielke ruajti deri në fund një material kompromentues për Honecker, dëshmia e të cilit në kohën naziste, mori në qafë një grua. Zaisser u përpoq të heqë Sekretarin Walter Ulbricht pas kryengritjes së qershorit 1953. Wollweber dha dorëheqjen në 1957 pas përleshjeve me Ulbricht dhe Erich Honecker, dhe u pasua nga zëvendësi i tij, Erich Mielke. Me të lidhet një nga faqet më të suksesshme të STASI-it. Në 1957, Markus Wolf u bë kreu i Hauptverwaltung Aufklärung. Wolf ka arritur sukses të madh në qarqet qeveritare, politike dhe të biznesit të Gjermanisë Perëndimore me spiunët, që arriti të penetrojë. Rasti më me ndikim ishte ajo e Günter Guillaume, gjë që çoi në rrëzimin e Kancelarit të Gjermanisë Perëndimore Willy Brandt në maj të 1974”. I kërkojmë, nën këtë strukturë të hirtë burgu përzier me tulla të kuqe, teksa lemë njërën qelë pas tjetrës disa të dhëna. Ashtu si merret me mënd, pothuaj i di përmendsh të dhënat: një në çdo 63 gjermano-lindorë bashkëpunuan me STASI-n; Struktura kish një vëzhgues në çdo 166 gjermano-lindorë. Të mendosh se GESTAPO për të njëjtën punë kishte një njeri në 2000 njerëz!!! Në fakt, njerëzit e GESTAPO-s bashkëpunuan me STASI-n, na thotë…
…
Burri bën me shenjë mbi një maket, ku shenja e gishtit vendosur gjithnjë në një pikë, ka bërë vrimë. Ja ku jemi. Është një hirnajë e tërë dhe ne të dhjetë, ardhur nga gjithë bota, jemi aty pjesë e një boshësie, krijuar nga mëndja djallëzore e njeriut. Zona Hohenschönhausen ishte kryesisht zonë industriale para Luftës së Dytë Botërore për furnizimet e organizatës Social-Demokrate. Më duket se ka qenë Geringu?-na thotë befas. I kërkojmë një krahasim dhe ai i vjen natyrshëm: Ja për shembull, krahasuar me Sekuritatea ka qenë si nata me ditën. E nxjerr instinktivisht që është nga minoriteti gjerman i Rumanisë. Ka qenë shkrimtar dhe është dëbuar në Gjermani… “Kur me arrestuan në Rumani, libri sapo kishte dalë, por askush se vërejti, kurse me STASI-n s’bëheshin këto gabime”. Arma më e fortë e këtij shërbimi ishte presioni psikologjik, që ajo e ngriti në art të së keqes. Por qelat e këtij burgu më duken si shumë të kuruara. S’duket keq burgu, e pyes një moment-dhe në kokë më rri burgu i tmerrshëm shqiptar. Sikur ma ka blerë mendimin sepse fillon e sqaron se s’është e vërtetë. Kanë vdekur mijëra veta, por presioni këtu ishte i pamatë. Plot 886 të vdekur kanë qenë në kampin në mes korrikut 1945 dhe tetorit 1946, kurse vlerësimet e pavarura shkojnë deri në 3000 veta. “Revolucioni” në këtë vend ndodhi kur dikush mendoi që mensa poshtë të konvertohej në zonën nëntokësore të burgut (e ashtuquajtura “nëndetëse”). Ndalojmë para një makine me të cilën bëheshin arrestimet. “Barkas”, në mos gabojmë e kemi parë dhe në Tiranë, por këtu përdorej për gjë tjetër!!! E vogël saqë s’të mbushte mendjen për keq, ajo ishte tmerri i desidentëve. “Shpesh kish të shkruar: Punime të ndryshme apo nuk e di, por ajo të çonte vetëm në burg”. Sërish, ka pak më shumë vend se në Gazin tonë të famshëm. Lëvizim. Në fakt, qelat janë të nxehta, por jashtë bodrumi është i shtruar me linoleum! Ka krevate druri, kurse hera-herës shikon veshje me tuta (pjesë të të burgosurve), plus shumë e shumë gjëra të tjera, që mund të konsideroheshin si luks për ne. Një dritëz e verdhë, që është kudo, e shton tmerrin. Duhet të kuptoni, na thotë burri që shikon zhgënjimet se këtu janë prerë edhe koka, kurse ndodhte që për vite të tëra i burgosuri të mos fliste me askënd. Kjo ishte vuajta më e madhe. Vendi kishte qelat e trajtimit dhe ato operative, një laborator, morgun dhe qelizat e ajrimit (të quajtura “Kafaze tigër” nga të burgosurit). Për të sjellë këtu të shëtisnin me orë të tëra në Berlin, që të mos kuptoje se po të sillnin këtu. “E dini kam kërkuar njëherë thjesht të më merrnin në pyetje sepse doja të flisja me dikënd!!!” Po ata s’përgjigjeshin. Kur më morën me bënë një xhiro, sikur më kishin lëvizur nga fare larg. Në vitet e fundit kuptova se thjesht më kishin zhvendosur pak metra. Dhe, të mendosh, këtë e bënin, thjesht duke të lëvizur nga një vend në tjetrin në burg. Duke qenë larg teatrit të ngjarjeve, burgu Hohenschönhausen nuk u sulmua nga demonstruesit pas rënies së Murit të Berlinit, duke lejuar autoritetet e burgut për të shkatërruar qetësisht provat e funksioneve të burgut dhe punën e tyre…Paradoksalisht, një pjesë e njerëzve të STASI-t janë gjallë dhe jetojnë sot e kësaj dite vetëm pak qindra metra larg nga zona e burgut. Gjyqi kombëtar i fali dhe madje shumë gëzojnë pensionin me rrogat e larta që merrnin dikur. Tek e fundit kishin mbaruar shkollat për juristë dhe në degë të tjera…, na thonë me keqardhje.
Rimëkëmbja e dosjeve
Dikush prej tyre u bë iniciator dhe arriti të përcjellë te CIA shumë materiale. Kjo e fundit arriti të mbledhë shumë dosje gjatë grabitjes së arkivave të STASI-t. Republika Federale e Gjermanisë ka kërkuar menjëherë kthimin e tyre dhe mori shumë nga dosjet në prill të vitit 2000.
Por vetë njerëzit e STASI-t arritën të fshihnin shumë gjëra. Këtë e kuptojmë pak nga pak, kur zhvendosemi në godinën, që dikur ka shërbyer për STASI-n, sot një museum, bashkë me arkivat dhe shumë gjëra që lidhen me arkivat. Deri pak kohë më parë kanë punuar dhe disa njerëz të STASI-t. Nuk e di nëse ka mbetur ndonjëri më aty. Na flasin dhe na tregojnë, kurse pas dyerve të rënda përfundojmë në dhoma interesante. “Burrin tim e kanë ndjekur që të ri, kur ishim të fejuar në shkollë. Tani ka vdekur”, më thotë një grua që plotëson një formular. Mbush e qetë dokumentacionin dhe shikon me kujdes. Me të shoqin kanë qenë në universitet. E has gruan që punon e qetë dhe rrimë pak bashkë. Po ç’të intereson tani dhe pse nuk e ke bërë deri më tani. Ka shumë procedurë dhe radhë. “Dua ta di se kush na ka rënë më shumë në qafë”, më thotë me një anglishte të thjeshtë. Mbush qetazi dhe më buzëqesh. Një numër i konsiderueshëm i dosjeve janë të vendosura në magazinat e zyrave rajonale STASI-t dhe fati i tyre u vendos nën Traktatin e Bashkimit midis dy Gjermanive. Mu këtu jemi. Gjermanët me mendësinë e tyre kanë mbledhur gjithçka. Qoftë edhe plehrat e palexueshme. Ku ta dish: ndonjë ditë shkenca do bëjë mrekulli! Ky traktat ka mundësuar me ligjin Volkskammer shumë qasje në përdorimin e dosjeve dhe mundëson, që njerëzit të përdorin fotografi, por edhe t’i lejojë njerëzit të shohin dosjet e tyre në këtë kompleks të gjerë në Berlin-Lichtenberg. Në fakt STASI veç këtu ka qenë edhe në disa godina më të vogla në të gjithë qytetin. Një tjetër i dënuar nga STASI bashkë me një përkthyese na flasin pas një dritare nga ku shihet e gjithë ngrehina e infrastrukturës së STASI-t. Pastaj rrëfimi: Më 1992, pas një vendimi të deklasifikimit nga qeveria gjermane, u hapën fillimisht dosjet e STASI-t, ku midis 1991 dhe 2011 plot 2.750.000 persona, kryesisht nga ish-RDGJ kërkuan për të parë dosjet e tyre. Vendimi gjithashtu u dha njerëzve aftësinë për të bërë kopje identike të dokumenteve të tyre. Një tjetër mundësi ishte se edhe media mund të përdorte mundësinë të përfitonte nga dokumentet. Deri më atëherë, qeveria e fundit e DDR-së urdhëroi djegien e mijëra kasetave kompjuterike, gjoja për të parandaluar Luftën e shtrigave. Kjo ishte dhe sfida, na thotë gruaja, që luan rolin e Ciceros- dhe mijërat e dosjeve që kishin të bënin me spiunazhin ishin copëtuar dhe mbushur në 17.200 thasë letre. Filloi një punë titanike dhe nga mesi i vitit 1997, gati 500 thasë janë copëtuar dhe rindërtuar duke u konvertuar në rreth 200.000 faqe. Por, problemi më i madh mbetej për 37.5 milionë kartat e indeksit që mbanin emrat e informatorëve, si dhe personat që kishin qenë nën mbikëqyrjen e STASI-t. U pa se 24.5 DM milion në vit (rreth 15 milionë dollarë duke përdorur një kurs këmbimi) nuk mjaftonin dhe nga 1997, buxheti i mëkëmbjes u rrit në 137 milion USD. Por rehabilitimi i viktimave s’ishte aspak i lehtë. Sot, në këtë muze gjigand, por edhe në arkiv ku vazhdon e punohet ruhen edhe qindra relike të policisë sekrete, duke filluar nga kamerat e vogla të spiunazhit, objektet personale të Mielke-s, vendi i tij i fjetjes, dhomat e tij, të njerëzve të tij, imazhet dhe dokumentet e njerëzve më të afërt të Mielke, të cilat qëndrojnë si të ngrira në kohë, në një ish-kompleks policie prej 1,1 milion këmbë katrore…Këtë mundohet të na shpjegojë një burrë ish i dënuar, që ruan një ftohtësi të frikshme, por që tashmë s’i bën përshtypje asgjë. Alternohet me gruan, por duhet ta ketë përsëritur kaq shumë, saqë i është bërë bezdisëse.
…
Më 7 nëntor të vitit 1989, duke iu përgjigjur rrokadës politike dhe sociale në RDGJ, Erich Mielke dha dorëheqjen. Më 17 nëntor 1989, Këshilli i Ministrave e emërtoi STASI-n si “Zyrë për Sigurinë Kombëtare”, kurse më 14 dhjetor 1989, kjo strukturë u shpërbë. Dua të di nëse ka pasur lidhje me Sigurimin e Shtetit tonë, por këtë s’ma thonë dot. STASI ka pasur lidhje me KGB-në dhe gjithë shërbimet, por Shqipëria mungon. Si është kujtesa e tyre? Sikur të ma ketë blerë mendjen, gruaja që na shoqëron më sqaron se oficerë të rangut të lartë të STASI-t vazhduar me sukses karrierën e tyre post-DDR në pozita drejtuese në kompani të ndryshme. STASI mbajti gjallë disa nga degët e veta në mënyrë private, ndërsa jo shumë larg burgut në Hohenschönhausen, gjenden ende shumë prej familjeve të tyre. “E takova njërin prej tyre, teksa ishim në librari. Ishte i qetë, por këtu është kompartimenti i tyre. Njerëzit e STASI-t sillen sikur asgjë nuk ka ndodhur”, më ka thënë ish-i burgosuri ‘rumun’. Paradoksi është se shumë prej tyre nuk u dënuan, ashtu si nazistët pas Luftës së Dytë, duke ua bërë bashkëqytetarëve të tyre më të errët, kujdesën e hidhur të STASI-t. Por moria e dosjeve, skedave janë një memecëri që të lodh për të keqen. Gruaja na ka lënë dhe shefi i saj, por gjithnjë duke na kujtuar se mund t’i pyesim për gjithçka që duam.
…
Gjermani i komunitetit minoritar në Rumani ka bërë një libër dhe tashmë jeta e tij është sesi t’u tregojë njerëzve vuajtjen e vet dhe të njerëzve si ai. “Ai burri kishte ditëlindjen”, na thotë për atë që ka përqafuar para derës. Cili? “Ai që takova në fillim dhe që ka qenë në burg këtu. Ia arritëm të jemi të lirë”. Mundohet të verë pak buzën në gaz, por ajo i shuhet menjëherë. Në fakt një ndjesi boshe të ndjek kudo. Për çfarë ia vlen e gjithë ajo përpjekje? A ia vlejti i gjithë ai gjak? Pse qenia njerëzore është aq e keqe? Deri kur do vazhdohet? A ka drejtësi për viktimat? Kur shikon rastin gjerman dhe rrënjët e të keqes, bindesh se e keqja është gjithnjë e fortë. Ti kujton se e mposht, por ajo rilind. Një erë e thartë më shtyn të gjej stacionin dhe të futem në metro. Përzihem me turmën. Pranverë e ftohtë. Berlin. Prill 2015.
Marrë nga revista JAVA: http://revistajava.al/faqe-reportazh