Gazetari Fatos Mahmutaj, i ftuar në “Ora e Fundit” në ABC News, komentoi zhvillimet politike në vend, duke u ndalur te protestat e opozitës dhe qëndrimi i kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Mahmutaj u shpreh me kritika ndaj liderit demokrat, duke e cilësuar atë si “arkitektin e dhunës”. Sipas gazetarit, Berisha nuk distancohet nga aktet e dhunshme, pasi, sipas tij, ato përbëjnë mënyrën e vetme për të funksionuar politikisht.
Ai theksoi gjithashtu se Berisha i sheh organizatorët e protestave si rivalë, nga frika se mund t’i marrin meritat për organizimin e tyre dhe të fitojnë më shumë ndikim politik.
Duke iu referuar Agron Shehajt dhe Arlind Qorit, gazetari tha se kreu i PD-së i konsideron ata rivalë në atë që e cilësoi si “ndarja e tortës politike”. Sipas Mahmutajt, Berisha përpiqet t’i mbajë nën presion, pasi i sheh si aktorë që mund të sfidojnë pozitat e tij në skenën politike.
“Berisha nuk distancohet nga dhuna, por ai është krijuesi i dhunës. Për të dhuna është e vetmja mënyrë për të funksionuar. Berisha organizatorët e protestës ka frikë se i vjedhin meritat dhe nuk do që të lejohet apo të dirigjohet njeriu që do marrë meritat për këtë protestë të dhunshme dhe duke i parë si rivalë i kërcënon. Në lidhje me Shehajn dhe Qorin, Berisha i shikon si rivalë në ndarjen e tortës politike. I mban këta njerëz nën presion që kur të vijë puna ta ndajnë tortën ashtu siç do Berisha. PD që ka uzurpuar Berisha në viti në vit po vjen duke u tkurrur, Berishës po i mbaron partia. Ndërkohë Qori dhe Shehaj janë duke ngritur parti të vogla dhe të dy Berisha i shikon si rivalë, pasi mund t’i marrin dhe shefin e Berishën. Pra luftën e ka me këta sepse këta e rrezikojnë më tepër se sa e rrezikon pozita socialiste në pushtet”, tha ai.
Mahmutaj u ndal edhe te situata brenda Partisë Demokratike, duke pretenduar se partia po tkurret nga viti në vit nën drejtimin e Berishës.











