Berisha: CEZ falimentoi, prandaj i hoqëm licencën
Ish-kryeministri Sali Berisha shpjegoi nga Parlamenti sot se pse qeveria e tij i hoqi licencënm CEZ-it. Ish-kryeministri tha se borxhi neto i CEZ ishte 800 mln euro, në këtë mënyrë kompania falimentoi dhe iu hoq licenca.
Më tej Sali Berisha ka përsëritur akuzën për ish-komisionerin për Zgjerim, Stefan Fyle. Sipas tij, pas marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe CEZ, qendron pikërisht Fyle. “Kam denoncuar me hipotezë një veprimtari të qëllimshme të Edi Ramës të lidhur direkt me komisionerin Fule. E kam bërë kur ai (Fule)ka qenë në funksion. Nuk e kam bërë me kënaqësi, por e kam bërë se kam parë aferën e tmerrshme që po rëndon mbi ta”, u shpreh Berisha në parlament.
Ai thotë se Çekia nuk mund t’i vinte veton Shqipërisë, ndërsa hedh dyshime edhe për zyrtarë të tjerë të BEsë, si zoti Kopac, që janë përfshirë në nënshkrimin e marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe CEZ. “Qeveria çeke nuk mund të vinte veto. Nuk mund të bllokonte kurrë vendimin e BE për statusin. Kjo ishte një veto e kërkuar. E kujt? E atyre që u duhej për të ndarë paratë. Nuk ekziston asnjë vendim i qeverisë çeke që të bllokohej Shqipëria derisa të firmosë marrëveshjen me CEZ. Nxirreni ku është. Kjo ishte një kërkesë e Edi Ramës, sepse duheshin ndarë paratë dhe se duhej përdorur një pretekst. Kam shprehur dyshimet e mia për komisionerin Fule, uroj të ketë qenë i izoluar. Por nuk është normale. Edhe për zotin Kopac kam patur respekt, por thotë që marrëveshja u firmos në zyrën e tij. Ç’lidhje kishe ti me marrëveshjen? Po bën diversion për të mbrojtur Edi Ramën. Por kjo nuk qëndron. Kjo është një shkelje. Se pastaj më duhet të shtroj pyetjen: a keni ndonjë lidhje me CEZ dhe a jeni në konflikt interesi? Por nuk mundet një zyrtar nga Brukseli të vijë në komision të parlamentit shqiptar dhe t’u thotë shqiptarëve që ajo marrëveshje që firmosi Edi Rama hoqi pas dy ore veton. Atëherë del ajo që thotë Sali Berisha; që marrëveshja është kulisash dhe u firmos në kurriz të shqiptarëve.
Pra mega afera 800 milionëshe u firmos në kurriz të shqiptarëve. Nuk ka autoritet në botë që t’i lejonte vetes një gjë të tillë. Nëse qeveria çeke do të dilte hapur, do t’i thuash qeverisë gjermane, presidentit francez, kryeministrit anglez; ore, te paguaj unë 600 milionë euro për të marrë statusin? A jeni ju dakord?
Nuk mund të jenë dakord. Ajo del në kundrshtim me atë mbi çfarë bazohet Europa. Kaq i duhej kryeministrit shqiptar. T’u thoshte; a duhet të paguajmë ne faturën 600 milionë euro për statusin”, u shpreh Berisha më tej.









