Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij nga foltorja e ‘Ripërtëritjes’ në qytetin e Korçës, ka ngritur shqetësimin për rritjen e ndjeshme të çmimeve të konsumit në vend, duke theksuar se nga viti 2013 e deri sot ato janë rritur në mënyrë të pakrahasueshme më shumë se niveli i pagave.
Gjatë takimit me mbështetësit, Berisha bëri një krahasim të fuqisë blerëse dhe çmimeve me vendet e Bashkimit Evropian, duke marrë si shembull përvojën e tij të fundit gjatë pjesëmarrjes në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg.
“Isha në Strasburg, isha në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, u futa për kuriozitet në një market, absolutisht të gjithë çmimet që të gjitha ose baras ose dy herë më të ulëta se këtu. Po rrogat e francezëve janë të paktën pesë herë më të larta se tonat. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se ne kemi ardhur në një kohë shumë të vështirë, në një kohë në të cilën nuk jemi si në vitin 1990, kur dyqanet i kishim bosh, por rrogat i kishim në xhep aq sa ishin. Sot i kemi xhepat bosh, dyqanet plot, por nuk i blejmë dot.”, tha Berisha.
Sipas kryetarit të PD-së, kjo situatë varfërie ka vetëm një shkak kryesor, i cili lidhet drejtpërdrejt me menaxhimin e financave publike:
“Kjo është varfëria, e cila ka vetëm një shkak: vjedhjen e papërmbajtur të taksave dhe pasurive publike të Korçës dhe gjithë Shqipërisë.”, theksoi ai.
Në vijim të fjalës së tij, Berisha nënvizoi se në mjedisin e sotëm shoqëror po vihet re një humbje e bashkëndjesisë dhe e ndjeshmërisë ndaj dhimbjes, vuajtjes dhe pamundësisë ekonomike të qytetarëve, gjë që sipas tij është shkatërrimtare për vendin.
Duke iu referuar deklaratave zyrtare mbi nivelin e jetesës, Berisha kritikoi distancën mes qeverisjes dhe realitetit ekonomik të pjesës më të ndjeshme të shoqërisë.
“‘Nuk vuan kush për bukë’, thotë ai. Po sigurisht se për vete hap shishen 36 mijë euro, dhe të hapësh shishe 36 mijë euro në një kohë kur pothuajse të gjithë pensionistët nuk blejnë dot ushqimet e muajit, atëherë natyrisht nuk ndjen asgjë për ta. Atëherë varfëria të duket paaftësi e tjetrit dhe vetë lan duart, unë nuk kam përgjegjësi. Atëherë padrejtësia të duket një gjë normale. Atëherë dobësia të duket faji i tij.”, deklaroi Berisha.
Berisha renditi një sërë premtimesh sociale dhe ekonomike, duke përfshirë dyfishimin e pagave dhe pensioneve, vendosjen e minimumit jetik dhe rimbursimin e të gjitha ilaçeve.
“Dyfishohen rrogat, dyfishohen pensionet, jepet minimumi jetik, rimbursohen të gjitha ilaçet. Dhe unë u garantoj se nëse PD ka ndërmarrë ripërtëritjen si moton e saj më kryesore, ka vetëm një qëllim të vetëm për të ripërtërirë Shqipërinë në të gjithë aspektet. Për t’u rikthyer shqiptarëve pasuritë që ata kanë”, tha ai.
Në përmbyllje të mesazhit të tij nga Korça, lideri i opozitës u zotua se Partia Demokratike do të punojë për të ndryshuar me urgjencë këtë situatë ekonomike dhe sociale në vend.
“Ne do ta përmbysim në mënyrën më emergjente këtë situatë.”, tha Berisha.











