Pedagogu Zylyftar Bregu ka deklaruar në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH1 se kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha i shpalli armiq Ervin Salianjin dhe Ilir Alimehmetin nisur nga lëvizja e tyre e fundit brenda kësaj force politike.
Sipas Bregut, deri më tani lëvizja Salianji-Alimehmeti është një lëvizje e karakterit organizativ dhe nuk ka një tezë politik.
Bregu shpjegoi se lëvizja e Salianjit dhe Alimehmetit godet më shumë Kryesinë se sa kreun e PD-së.
“Deri në fazë ku jemi lëvizja Salianji-Alimehmeti është një lëvizje e karakterit organizativ. Pra, nuk ka asnjë tezë politike, duhet t’i kërkojmë me qiri që të gjejmë ndonjë tezë politike. Është një lëvizje që kërkon dhe që bën një ndarje mes kryetarit që thotë: mos e prekim dhe Kryesisë që si duket, me kryesinë janë të pakënaqur. Aty kërkojnë një analizë dhe një nxjerrje përgjegjësie”, tha Bregu.
Ai theksoi se me qëndrimin e tij të ditës së sotme, Berisha i shpalli armiq këtë dyshe me lëvizjen e tyre të fundit.
“Qëndrimi i sotëm i z. Berisha i cili për mua i shpalli armiq, sepse tha që është një anëtar kryesie me një axhendë personale.
Në këtë rast e kishte fjalën për Salianjin, por z. Alimehmeti i cili është afruar në Partinë Demokratike në vitin 2022, kur Sali Berisha ishte në pikën më të zezë të historisë së tij.
Dhe investimi në Partinë Demokratike, fushatën e ka përballuar vetë dhe të gjitha me radhë, e t’i sulmosh që janë në një axhendë personale për mua nuk është shumë e ndershme, kur z. Berisha është i pari që iu rikthye Partisë Demokratike kur u shpall nongrata dhe hapi foltoren, dhe kur i thoshin të tjerët që; ti po ngatërron partinë me fatin personal, thoshte që e kishte parimore”, u shpreh Bregu në emisionin “3D”.











