Beteja midis kreut të opozitës Lulzim Basha dhe ish-liderit Berisha vazhdon. Berisha pasi mblodhi 4200 firma nga delegatët njoftoi se Kuvendi do të mblidhet në datën 11 dhjetor, ndërkohë zoti Basha bëri me dije se Kuvendi legjitim, sipas tij do të mblidhet në 18 dhjetor.
Drejtoresha e komunikimit në “Foltoret” e Sali Berishës, dhe ish-zëdhënësja e fushatës së PD-së, Floriana Garo e ftuar në studion e Ora News me gazetarin Arnold Kariqi u shpreh se është vetë-ofruar për të kontribuar për PD-në pasi është partia që i beson.
E pyetur se pse iu bashkua “Foltores” së Berishës, Garo u shpreh se nuk mund të rrinte indiferente kur Berisha u përjashtua nga grupi parlamentar dhe të mos bashkohej me nismën e tij.
Garo: Jo vetëm kjo do të thoja. Unë nuk pashë asnjë marrje përgjegjësie nga zoti Basha për humbjen e katërt radhazi të zgjedhjeve, që ai duhet të jepte dorëheqjen me kohë. Nuk e dha dorëheqjen dhe aty e kuptova që janë interesat e tij që do të qëndrojë në atë parti, thjesht të mbajë vulën edhe pa njerëzit. Unë nuk e konceptoj ashtu PD dhe ju bashkova “Foltores” për këtë arsye.
E pyetur se çfarë interesash mund të ketë Basha që do të mbajë vulën, Garo tha se gjithçka që vula siguron, pra interesat e tij dhe të një grupi të ngushtë.
Garo: Interesat e demokratëve nuk janë, po të ishin interesat e demokratëve Basha nuk do qëndronte në zyrë dhe të planifikonte antikuvende, por do dilte dhe të takonte njerëzit pikërisht ashtu siç po e bën zoti Berisha.
Marrëdhënia Garo-Basha
E pyetur në studio se si ka qenë marrëdhënia e saj me zotin Basha në kohën kur ishte zëdhënëse e PD, Garo tha se ka qenë një marrëdhënie distante.
Garo: E kam takuar pak herë për të diskutuar për strategjinë e fushatës. Kam pasur një ekip me të cilin kam punuar, por me zotin Basha nuk kam pasur një komunikim shumë të shpeshtë. Pas përfundimit të fushatës nuk kam pasur aspak komunikim. Dhe më ka bërë shumë përshtypje, asnjë telefonatë, asnjë falenderim, asnjë reflektim, asnjë mbledhje e ekipit dhe përveç fakti që mendova se Basha duhet të jepte dorëheqjen pas disfatës së radhës, të paktën duhet të tregonte një shenjë mirënjohjeje për ata njerëz që kishin kontribuar.
Dallimi Berisha-Basha
Përsa i përket dallimeve mes liderit aktual Basha dhe ish-liderit Berisha, Garo tha se është i dukshëm ndryshimi. Sipas saj, Berisha në moshën që ka është shumë më dinamik dhe energjik se sa shumë djem të rinj.
Garo: Unë gjatë fushatës duhet të kisha një komunikim intensiv me zotin Basha, por nuk kam patur. Ndërkohë që me zotin Berisha diskutoj për gjithçka, çdo shqetësim, çdo çështje, çdo problematikë, strategji dhe gjithçka është e hapur dhe e qartë. Krahas kësaj, për sa i përket lidershipit zoti Berisha është më energjik tani në këtë moshë që ka se sa shumë djem të rinj dhe është frymëzuese kjo energji dhe ky dinamizëm që i mbledh njerëzit dhe ky besim që ngjall te kushdo që e ndjek.
Garo u shpreh se pikërisht për këtë gjë, PD ka nevojë për rikthimin e Berishës./m.j