Nga Jakin Marena
Kryetari i PD, Sali Berisha, ishte tepër i mërzitur paraditen e kësaj të hëne, teksa mori pjesë, sëbashku me deputetët e tij, në seancën parlamentare! Ndoshta e fundit për këtë sezon!
Dhe nuk kishte faj, pasi me sa duket asgjë nuk po shkonte sipas planeve të tij, siç kishte ndodhur në këto seancat e fundit parlamentare, dhe ku pritshmëritë i kishte pasur tepër të larta që dhe këtë të hënë, të paraqitej e njëjta situatë, por këtë radhë me një qëllim akoma më të madh!
Po pse ishte mërzitur rëndë Doktori dhe çfarë kishte planifikuar që të ndodhte para Parlamentit të Shqipërisë, teksa deputetët e mazhorancës socialiste po hynin një nga një në Kuvend?!
Vetëm një ditë pasi kreu i Kuvendit Niko Peleshi shpalli 27 korrikun si seancën e re të Kuvendit, ku referuar rendit të ditës së shpërndarë për ligjvënësit theksohet se parashikohet si pikë e parë: Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 23 korrik; Pas njoftimeve në pikën e dytë do kalohet në: Projektvendimi “Për një ndryshim në vendimin nr. 87/2026, “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar”, me shumicë të thjeshtë për miratim, Berisha kishte nxitur sensorët e alarmit se diçka po ‘luhej’ këtu!
E themi këtë, sepse referuar edhe njoftimeve në media por dhe nga vetë investigimet e kreut të PD si dhezarave të tij tek partitë e vogla që bëjnë sikur i kundërvihen kryetarit të tyre historik, Berisha kishte mësuar se shkaku i vërtetë i një seance të paplanifikuar parlamentare këtë të hënë ishte miratimi me procedurë të përshpejtuar i marrëveshjes së huasë direkte për financim të jashtëm ushtarak prej 302 milionë dollarësh, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Marrëveshje kjo, për financimin e modernizimit të Forcave të Armatosura, e cilësuar historike për sigurinë kombëtare si dhe partneritetin strategjik mes dy vendeve.
Pikërisht për këtë arsye te Berisha u rikthye ai ‘damari’ i keq anti-amerikan, i instaluar thellë në memorie dhe çdo qelizë të trupit të tij, që në momentin kur u pajis me teserën e anëtarësisë së PPSH të Enver Hoxhës gati 60 vite të shkuara, kundër ‘imperializmit amerikan që punon me mish e me shpirt për të skllavëruar popullin trim e liridashës shqiptar’, përgatiti infrastrukturën më të mundshme për të bërë që kjo seancë, maksimumi të anullohej e të zhbëhej, ose të shtyhej në kohë, minimumi! Nuk thonë kot se ‘vesi del me shpirtin’, Berisha nuk mundohet ta fshehë!
Korridoreve të selisë së PD flitej se kishte një plan ‘A’ dhe një plan ‘B’ për të bllokuar këtë marrëveshje huaje me SHBA për ushtrinë shqiptare, marrëveshje e cila për hir të së vërtetës ishte një dokument konfidencial, që nuk duhej të dilte jashtë mureve të Kuvendit për t’u debatuar, por që do të diskutohej gjithnjë nën monitorimin e rreptë të personave përgjegjës. Për të cilin u la dhe koha e duhur, pasi seanca u shty për pasdite, dhe deputetët u ftuan ta lexonin dhe të njiheshin me përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje! Është një marrëveshje me aleatin tonë të madh, SHBA-të, që na janë gjetur në krah në ditët më të vështira për kombin shqiptar! Në të gjitha herët!
Plani i parë i Berishës, në bashkëpunim dhe me grupin e organizatorëve që kanë uzurpuar tashmë ‘Revolucionin Flaming’ që vijon prej më shumë se një muaj nëpër rrugët e kryeqytetit dhe para kryeministrisë, ishte ‘armatosja rëndë’, me vezë, domate, speca dhe me ndonjë kapsollë nëpër të, i grupit të “Drojës’, nga Mamurrasi e Laçi, si dhe i këtyre të kontigjentit të debilave të Albinit, për të qëlluar deputetët e mazhorancës dhe për të bllokuar hyrjen e tyre në seancë me të gjitha mënyrat! Të gjithë i panë lëvizjen e këtij kontigjenti drejt Kuvendit, dhe stacionimin e këtij ‘armatimi’ që në pikë të sabahut, për t’a përdorur kundër deputetëve të PS dhe trembur ata!
Por me sa duket policia qëlloi më e shpejtë dhe i bllokoi e i mbajti shumë larg ‘vezë-hedhësit’, të cilët në kushtet kur as nuk po i shihnin deputetët socialistë, filluan në shenjë hakmarrje të qëllonin vetë efektivët e policisë, që kishin bllokuar në një distancë të konsiderueshme të gjitha hyrjet që të çonin tek parlamenti! Kur Berisha, i cili si gjithnjë shkon në Parlament, kur deputetët e PS e kanë marrë ‘racionin’ e vezëve në kurriz, u shokua nga dështimi i planit! I cili për hir të së vërtetës dështoi dhe për shkak se këta të grupit të Mamurrasit po merreshin me punët e tyre, dhe ishin trembur nga bllokimi i daljes jashtë vendit të dy protestuesve të para disa ditëve, ndërkohë që këta të Albinit, thuhej se ishin të idhnuar sepse nuk kishin marrë pagesën, dhe u kishte rënë birra në kokë që të dielën në mbrëmje, teksa kishin kthyer ‘dhimbjen në forcë’! Këta të tjerët që ishin sot, anëtarë shoqatash, ishin fort të lodhur për të përballuar gjëra kaq të mëdha!
Berisha, i tërbuar sidomos me Mulin, i cili nuk kishte mundur të koordinonte saktë goditjen e deputetëve socialistë, ‘kalon’ në planin ‘B’, atë që ka më fort për zemër: bllokimin e seancës parlamentare përmes bllokimit të podiumit, krijimit të tensioneve në sallë dhe parandalimin e futjes në rendin e ditës me procedurë të përshpejtuar të ligjit për marrëveshjen financiare të huasë amerikane për ushtrinë shqiptare, në shumën prej 302 milionë dollarësh!
Përdori të gjitha mënyrat e mundshme Berisha, i tërbuar për hir të së vërtetës nga pamundësia, por nuk arriti që ta bllokonte këtë marrëveshje huaje me SHBA-të që rrit në një shkallë akoma më të madhe sigurinë e vendit në këtë situatë të tensionuar nga lufta në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme! Dhe kreu i PD në fund të herës, bëri atë që di të bëjë më mirë, deklaroi bojkotin e votimit të marrëveshjes në seancën e pasdites, me argumentin se ishte shkelur Kushtetuta!
Megjithëse e cilëson të rëndësishme marrëveshjen me SHBA-të, opozita refuzoi të marrë pjesë në seancë, Berisha dhe PD akuzuan mazhorancën se shkeli Kushtetutën duke e futur në Kuvend procedurë të përshpejtuar dhe pa u vënë më parë në dispozicion deputetëve teksti i plotë i marrëveshjes, duke deklaruar se “ne jemi pro marrëveshjes, por kërkojmë që procedura të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe jo me vullnetin antikushtetues të Edi Ramës. Nuk votojmë procedura antikushtetuese”. Dhe e mbajtu fjalën, nuk mori pjesë fare në votim! Si gjithnjë!
Kuvendi miratoi me 74 votat e PS marrëveshjen e huasë prej 302 milionë dollarësh nga SHBA për blerjen e pajisjeve ushtarake, ndërkohë që diskutimet u zhvilluan në një seancë me dyer të mbyllura, pasi mazhoranca argumentoi se dokumenti përmban informacion të klasifikuar, ndërsa PD nuk ishte prezente sikurse kishte vendosur Berisha, edhe pse deklaroi se është në favor të marrëveshjes por e konsideroi antikushtetuese futjen me procedurë të përshpejtuar.
Marrëveshja me SHBA hyri në fuqi menjëherë, pa pasur nevojë për dekretin presidencial, me pëlqim të Begajt, ndërsa socialistët e quajnë historike. Marrëveshja parashikon financimin e blerjes së pajisjeve ushtarake sipas standardeve të NATO-s, ndërsa fondet do të disbursohen sipas nevojave të Ministrisë së Mbrojtjes. Lëvrimet e para pritet të nisin nga shtatori, ndërsa Shqipëria do të ketë deri në 12 vjet afat për shlyerjen e huasë.
Por dhe në këtë debat të fortë, ku PD qëndroi stoike në qëndrimin e saj anti-SHBA, nuk kishte si të mos linte shenjën e tij kreu dhe deputeti i Partisë Mundësia, Agron Shehaj! Gonja, shfrytëzoi rastin kur askush nuk e kishte mendjen dhe rrëmbeu papritmas nga zyrat e Kuvendit dokumentin konfidencial të ligjit për huanë nga SHBA, i cili ishte planifikuar që të lexohej brenda sallës nga të gjithë deputetët. Pas këtij rrëmbimi, Gonja i futi një vrap të fortë nëpër koridoret e Kuvendit, teksa askush nuk arriti ta kapë! As sekretarja! Pasi u zhduk për disa minuta, Gonja e riktheu dokumentin konfidencial të huasë me SHBA-në për ushtrinë, duke deklaruar se e kishte lexuar me një frymë, por nënvizoi se e dinte që është sekret, prandaj nuk do ta bënte publik!
Do të mbetet gjatë në memorien e shqiptarëve ‘sprinti’ i Gonës, i cili ngjashëm me rekordmenin e shpejtësisë së 100 metrave, atletit Xhonson, të mbiquajturit “biri i erës’, arriti që të rrëmbejë këtë dokument në zyrën e shtetit dhe të zhdukej me shpejtësi skëterre korridoreve të Parlamentit! Nuk u hyjmë teorive konspirative, pasi nuk u besojmë zërave se Gonja mund të ketë bërë ndonjë ‘skanim’ të tërë marrëveshjes konfidenciale me SHBA duke na marrë erzin por dhe duke vënë në rrezik seriozitetin e Parlamentit shqiptar në lidhje me këto marrëveshje, sidomos me aleatin tonë të madh, SHBA-në! As nuk hamendësojmë se mund t’i ketë dhënë ndonjë shpërndarje kushedi se ku Gonja këtij dokumenti! Nuk duam ta besojmë këtë! Shpresojmë se Gonja e sheh këtë akt, thjeshtë e vetëm në kuadrin e videove për të marrë ndonjë ‘like’ në rrjetin social! Kështu ndodh kur njerëzit vijnë nga rruga dhe direkt në Kuvend! Pasi Gonja si ka për herë të parë këto gjëra! Ai ka marrë dhe listën e anëtarësisë së PD dhe ka ikur me vrap, ishte vrap ‘marathonimaku’ asokohe, jo si këtë të hënë, ngjashëm me sprintierin kanadez, të mbiquajtur ‘biri i erës’!
Ajo që jemi të sigurtë është se socialistët do t’i këpusin Gones së shkretë një përjashtim tjetër nga punimet e Kuvendit të Shqipërisë, dhe me shumë mundësi do ta dërgojnë dhe në SPAK për hetime, pasi dokumenti konfidencial përbënte sekret shtetërore dhe kishte rënë në duart e një personi pa certifikatë sigurise, sikurse pretendojnë deputetët socialistë se është Gonja! A do t’i merret celulari nga SPAK për t’u ‘dekoduar’ dhe shikuar për komunikimet e fundit të ditës së hënë, po nëse do të marret celulari bashkë me Gonen për t’u dekoduar mirë e mirë në lidhje me rrëmbimin e dokumentit të marrëveshjes konfidenciale me SHBA-të për ushtrinë shqiptare, jemi në kohë lufte për hir të së vërtetës dhe sekretet kanë rëndësi, mbetet mister ta dimë! Janë punët e SPAK-ut këto dhe ne nuk duam të hyjmë në punën e tij! Të bëjë si të dojë! Gonen aty e ka!
Ama ajo që mësuam këtë të hënë ëhstë se, Berisha nuk duroi shumë kohë pa u rikthyer në habitatin e vet anti-amerikan, duke bojkotuar një marrëveshje të rëndësishme huaje me aleatin tonë më të madh, për modernizimin e ushtrisë shqiptare, në këtë situatë të rrezikshme lufte që kemi rrotull! Ndërkohë që dhe Gonja nuk qëndroi prapa në këtë lojë, madje duke luajtur dhe me ‘riskun’, teksa bëri atë grabitjen spektakolare të dokumentit të kësaj marrëveshjeje konfidenciale me SHBA, dhe startoi me atë ‘sprint’ të fuqishëm, duke i habitur të gjithë, pasi ishte dhe jashtë fizikut të tij modest! Por ama e la shenjën e vet në këtë seancë, pavarësisht se mbetet mister sa e madhe do të jetë ‘shenja’ në kurrizin e vetë Gones! Rëndësi ka pjesëmarrja, është parimi i Gones! Mjafton që të jetë në qendër të vëmendjes, anipse jashtë takatit të tij!











