Nga muaji Nëntor nis prokurimi ndërtimin e Shërbimit të ri të Kirurgjisë në qendrën spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë. Lajmi u konfirmua nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.
Ai tha se përmirësimi i ndjeshëm që ka filluar të bëhet, “fillimisht në QSUT por që besoj, sot një vit, do të jetë i shtrirë në të gjithë vendin, me një furnizim shumë më të mirë të sallave të operacioneve me teknologji”.
Fjala e plotë e Ministrit Ilir Beqaj në Konferencën e 24-t Kirurgjikale Shqiptare
Përgëzime për organizimin e Konferencës, e cila duke qenë e 24-ta, tregon tashmë që bëhet fjalë për një aktivitet të maturuar dhe besoj se është nga konferencat më jetëgjatë vjetore që specialistët e mjekësisë bëjnë në Shqipëri.
Sigurisht, falënderime edhe për mysafirët që kanë ardhur nga larg, profesor të nderuar por dua të falenderoj në mënyrë të veçantë Profesor Rexhepin (Ministri i Shëndetësisë së Turqisë, Prof. Dr. Recep Akdağ), i cili e pranoi dhe ju bashkua me kënaqësi prezencës këtu. Dua ta falenderoj padyshim për mesazhin që përcolli por dhe për angazhim që ai dhe ekipi i bashkëpuntorëve të tij ka marr për të ndihmuar reformimin e sistemit tonë shëndetësor.
Nëse do të krahasojmë me vitin e kaluar, unë besoj se përtej punës shumë të mirë që ju bëni përditë, ky vit ka një element të ri, është përmirësimi i ndjeshëm që ka filluar të bëhet, fillimisht në QSUT por që besoj, sot një vit, do të jetë i shtrirë në të gjithë vendin, me një furnizim shumë më të mirë të sallave të operacioneve me teknologji.
Besoj se është një nga arritjet më të mëdha të ndodhura në këto 25 vjet në kirurgjinë shqiptare, sepse besoj se, jo vetëm ne po sjellim brenda vitit të parë një investim, për përmasat e Shqipërisë, jo të vogël, rreth 8-9 milion euro, të kërkuar, të munguar, të vonuar, por mekanizimi i Partneritetit Publik-Privat na mundëson që bashkarisht, çdo vit, të mund të zgjerojmë inventarin e instrumentave dhe ju të mund të ndiqni vit pas viti zhvillimet që shkenca dhe inovacioni botëror realizojnë.
Ndërkohë, pas një përpjekjeje disa vjeçare, besoj se brenda muajit nëntor do të fillojnë procedurat e prokurimit edhe për mjediset e reja të kirurgjisë së përgjithshme në QSUT. Është një investim rreth 9 milionë euro, që bashkëfinancohet nga Banka e Këshillit të Europës, dhe nga qeveria shqiptare, dhe unë besoj, që për 2-3 vjet edhe në Kirurgjinë e Përgjithshme në QSUT, do të kemi një mjedis shumë shumë më të mirë nga të gjitha pikëpamjet.
E rëndësishme në fakt ajo çfarë kemi arritur me kontratat e partneritetit publik-privat është që ne do të garantojmë të njëjtën cilësi nga pikëpamja e teknoligjisë, e sterilitetit në të gjithë sallat kirurgjikale të Shqipërisë.
Para disa muajsh, në bashkëpunim me Departamentin ne kemi bërë një studim për situatën e kirurgjisë shqiptare. Morëm një model të zhvilluar nga Banka Botërore dhe nëse do ta marrim Shqipërinë si një qytet dhe gjithë kirurgjitë tona si një spital, na rezulton që, për popullsinë që kemi, për demografinë që kemi, për epidemologjinë që kemi, për traumat automobilisitike që kemi, për sallat që kemi dhe për mjekët që kemi, burimet janë të mjaftueshme. Por duhet të punojmë shumë më tepër që këto burime ti përdorim në mënyrë sa më optimal që të mos kemi diku boshllëk dhe diku shumë më tepër radhë.
Por, partneriteti i ri publik-privat, përveç asaj çfarë ju prekni në punën tuaj, mua më vijnë tashmë nga ju sinjale shumë pozitive edhe lidhur me reduktimin e infeksioneve, të cilat unë vet përpiqem ti lexoj ende me shumë prodencë sepse nuk kam akoma shifra që ta provoj, sigurisht që ju i besoni syrit tuaj, sepse mbas shumë vitesh eksperiencë shikoni në këto 3-4 muaj çfarë ndodh me plagën pas operacionit, ditë pas dite kur mjekoni apo ditën që hiqni penjët, megjithatë është ende shpejtë për të provuar statikisht por ama kjo kontratë praktikisht më mundëson mua si Ministër të kem çdo mbrëmje në kompjuterin tim apo në smartphonin tim rezultatin e çdo operacioni që është bërë në Shqipëri në atë ditë.
Besoj se po mbledhim, për nevoja të administrimit të kësaj kontrate informacion të pamatë. Duhet të jemi të mençur siç duhet që ta shfrytëzojmë sa më tepër. Sepse unë besoj se sot ne jemi në gjendje të masim për çdo lloj tipi operacioni, për çdo lloj grupmoshe, përçdo lloj gjinie, sa është ditë qëndrimi pas operacionit.
Shumë miqësisht, ky informacion, le të themi, do ta shfrytëzojmë në mënyrë anominale, për nevoja studimore, për nevoja administrative do tu duhet drejtorëve të spitaleve të shohin, sa punon një mjek dhe sa punon një mjek tjetër por gjithashtu do të na ndihmojë që ajo që jemi angazhuar që të fillojë vitin e ardhshëm, dhe këtu kam marrë dhe mbështetjen e Profesor Rexhepit (Prof. Dr. Recep Akdağ)për të marrë eksperiencën shumë të mirë turke, të fillojmë të shpërblejmë mjekët në spitale sipas akteve mjekësore që kryejnë dhe sipas performancës së tyre.
Por për të mos u zgjatur, dua t’ju sjell një ilustrim pas një analize që kemi bërë për çfarë ka ndodhur në tre shërbimet kirurgjikale të QSUT-së nga 1 Gushti deri në 15 Tetor, ajo që ne e quajmë, Klinika 1, Klinika 3 dhe Urgjenca Kirurgjikale.
Situata në fakt është pak specifike dhe po u’a them paraprakisht, në gusht, siç dihet 2 klinikat nuk kanë bërë operacione të planifikuara kanë bërë vetëm urgjencën, megjithatë me qenë se nga gushti të tre shërbimet e kishin këtë funksionim. Kjo është praktikisht shpërndarja e volumit të punës midis tre klinikave që ne kemi.
Sigurisht, ju thashë është urgjenca në atë periudhë, po janë kryer në 75 ditë 1200 operacione kirurgjikale.
Për nevoja të administrimit të kontratës dhe të tarifimit të shërbimit, siç e dini operacionet janë ndarë në më komplekse, më të mesme dhe më të thjeshta. Dhe praktikisht kjo është situata. Nëse janë 1200 operacione, rreth 46-47 përqind janë të nivelit të ulët dhe pastaj pjesa tjetër ndahet bashkarisht midis së mesmeve dhe të lartave. Në përqindje është kjo situatë, ndoshta s’isha i saktë, 44, 29, 28.
Por ja si është brenda tre shërbimeve. Sigurisht në urgjencë bëhen rastet më të thjeshta, prandaj dhe urgjenca ka 2/3-ën me intesitet të ulët, ndërsa në dy shërbimet, pak a shumë, nëse i marrim, në kirurgjinë e parë 27 janë të ulëta, në kirurgjinë e tretë janë 17, të mesmet janë pak a shumë njësoj dhe të lartat, kirugjia 3 i ka më shumë se kirurgjia 1.
Edhe një herë, unë përdor si kriter atë çfarë kemi rënë bashkarisht dakort, kompleksiteti i lartë është ai që ka dhe një set me më shumë instrumenta dhe me instrumenta më të avancuar.
Praktikisht në këto 75 ditë në totalin e këtyre 1200 operacioneve 42% e tyre, janë tëmth dhe apandesit.
Specifikisht po ti marrim tre shërbimet operacioni që ka peshën më të madhe brenda shërbimeve është tek 1-shi është tëmthi 23%, tek 3-shi 49 ndërsa në urgjencë është apandesiti.
Ju thashë, kjo është një analizë shumë naïve që kam bërë unë që di vetëm numra por aty ka informacion sipas çdo lloj ndërhyrje dhe padyshim pas çdo lloj ndërhyrje është mjeku apo ekipi që ka punuar dhe është një jetë njerëzore. Dhe sot, i kemi dhe informacionet po të duam të bëjmë studime shumë më të thelluara për të vënë re se çfarë ka ende mundësi për të përmirësuar duke shfrytëzuar ato burime që kemi, jo idealet, megjithatë besoj se edhe me to mund të bëjmë më mirë.
Së fundmi, kam një kërkesë për ju si shoqatë por edhe si Departament. Është një kërkesë insistuese që më bëhet praktikisht çdo dy javë nga mjekët e Spitalit Universitar të Traumës. Kërkojnë të gjejnë edhe ata më shumë hapsirë në pjesën akademike. Nuk është një bisedë që bëhet për herë të parë, unë jam në dispozicion me aq sa kam mundësi, po të paktën me kohë, për të bërë një debat të shëndetshëm për këtë gjë vetëm se do t’ju lutesha që kjo gjë nuk duhet të jetë e pambarimtë, që pastaj mos të vij momenti që vendimet të merren thjeshtë në nivele administrative.
Faleminderit edhe një herë për ftesën, përgëzime për konferencën dhe falenderim të madh për jetët që shpëtoni çdo ditë.