Është përmbyllur procesi i prezantimit të riorganizimit në territor të shërbimit të Urgjencës Mjekësore. Qarku i Tiranës, ishte ndalesa e fundit ku u bë prezantimi para personelit të Urgjencës së Tiranës. Me sistemin e ri, nga 1 autoambulancë funksionale për afro 100 mijë banorë, shkon në 1 autoambulancë për 40 mijë banorë, duke siguruar mbulim më të plotë dhe cilësor në gjithë qarkun.
I pranishëm ishte edhe Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, i cili në fjalën e mbajtur u shpreh se nëse me riorganizimin e ri, ku një autoambulancë ju shërben 40 mijë banorëve, atëherë duhet që një mision të përfundojë brenda 27-minutash, duke përjashtuar këtu rastet e flukseve të orareve apo sezoneve të vitit.
“Në qoftë se pranojmë që një autoambulancë me riorganizimin i shërben 40 mijë vetave duhet që një mision të mbarojë për 27 minuta. Në qoftë se një mision mbaron për 27 minuta dhe ajo makina bën vetëm lëvizje gjithë ditën ne ja dalim që të mbulojmë gjithë këtë nevojë, 400 e ca mijë vetë pa krijuar asnjë lloj vonese apo perceptimi negativ tek qytetarët”, theksoi z. Beqaj.
Kreu i Shëndetësisë bëri të ditur se po punohet që në datën 28 Shkurt të fillojë testimi i sistemit, dhe për qarkun e Tiranës në datën 3 Prill të nis sistemi i ri i komandës dhe kontrollit të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore.
“Sot, ne praktikisht e mbulojmë me këtë gjithë Shqipërinë. Domethënë, sot e mbrapa ne fillojmë në vijimësi, por prapë vazhdojmë që komandimin e thirrjeve ta kemi me mënyrën tradicionale. Ne po punojmë, planet tona janë që në 28 Shkurt ta fillojmë testimin e sistemit edhe për qarkun e Tiranës më 3 Prill, të dalim me këtë sistem të ri komandimi. Dhe pastaj, ta zgjerojmë gradualisht në të gjithë Shqipërinë duke përdor 127-ën dhe duke pranuar, sepse ka filluar në Tiranë të pilotohet dhe 112-ta, dhe për një farë kohe do na duhet të vazhdojmë të ekzistojnë të dy sistemet që gradualisht të fillojë edhe kjo pjesë”, u shpreh z. Beqaj.
Ministri i Shëndetësisë nënvizoi se “sfida sigurisht është, e para, që në sistemin e marrjes të thirrjes të mund të bëjmë një triazhim të parë apo dhe të mund të zbusim një nevojë, një kërkesë. Pastaj të fillojmë që të dërgojmë sa më pak raste të panevojshme nëpër spitale”.
Ndërkohë, drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Dr. Skënder Brataj, bëri të ditur se, si në çdo qark të vendit, do të ketë edhe një shtim të numrit të personelit mjekësor të Urgjencës së Tiranës.
“Nga 63 që ishte numri i personelit të Urgjencës së Tiranës sot kalojmë në 121, me shtimin e personelit, mjek, infermier dhe dhënësit e ndihmës së shpejtë që janë shoferat”, u shpreh z. Brataj.