Edhe pas 18 vitesh, Beogradi nuk e ka kapërdirë dot pavarësinë e Kosovës, duke vazhduar ta quajë atë “shkelje të së drejtës ndërkombëtare”. Ndërsa Kosova festoi përvjetorin, Zyra për Kosovën në qeverinë serbe sulmoi sërish shpalljen e 17 shkurtit, duke e cilësuar si “humbje për rendin juridik ndërkombëtar”.
Në reagim e drejtorit të Zyrës për Kosovën, Peter Petkoviç për mediat serbe thuhet se Serbia do të vazhdojë të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial, ndërsa strukturat politike në Kosovë përshkruhen si “separatiste”. Beogradi viktimizohet duke pretenduar se pavarësia ka sjellë diskriminim ndaj serbëve në Kosovë dhe e paraqet çështjen si betejë për parimet e OKB-së.
“Serbët në Kosovë gjatë tetëmbëdhjetë viteve të fundit, si viktima të prirjeve separatiste të strukturave politike ekstreme shqiptare, janë përballur me gjithë shkatërrimin e urrejtjes shoviniste dhe janë ekspozuar ndaj çdo lloj dhune. Të drejtat e njeriut të serbëve në Kosovë janë aq të rrezikuara saqë pa asnjë hezitim mund të thuhet se bëhet fjalë për popullin më të rrezikuar në territorin e Evropës bashkëkohore. Lufta jonë politike dhe diplomatike për Kosovën nuk është vetëm një detyrim ndërkombëtar-juridik, por edhe moral dhe çështja më e rëndësishme kombëtare, dhe do të udhëhiqemi nga këto parime dhe do të kujdesemi për popullin tonë për sa kohë në krye të Serbisë është presidenti Aleksandar Vuçiç, thuhet në deklaratë.
Kosova shënon 18 vite si shtet i pavarur, i njohur nga mbi 120 vende të botës, ndërsa Beogradi mbetet i ngujuar në narrativën e mohimit.











