Presidenti Bajram Begaj festoi Fitër Bajramin në Golem mes besimtarëve myslimanë, nga ku përcolli urimet për të gjithë shqiptarët. Kreu i shtetit theksoi se vlerat që mbart muaji i Ramazanit, si: përkushtimi, vetëpërmbajtja dhe sakrifica, duhet të jenë pjesë e jetës së secilit, në çdo kohë dhe për çdo brez.
“Zgjodha të jem në Golem, në këtë xhami të mrekullueshme, për të uruar të gjithë besimtarët myslimanë: Gëzuar Fitër Bajramin!”, deklaroi Presidenti i Republikës gjatë vizitës në xhaminë e Golemit.
“Vlerat që mbart Ramazani nuk duhet të na shoqërojnë vetëm gjatë këtij muaji. Ato duhet të jenë tonat dhe të na udhëheqin gjatë gjithë ditëve të vitit dhe përgjatë gjithë jetës sonë”, shtoi ai.
Kreu i Shtetit uroi për çdo besimtar agjërim dhe lutje të pranuara, si dhe gëzim e bekime për të gjithë.
“Pas muajit të shenjtë të Ramazanit, uroj që Zoti t’ju ketë pranuar agjërimin, lutjet dhe përkushtimin tuaj! Uroj që të gjithë besimtarët myslimanë dhe të gjithë shqiptarët të kenë gëzim dhe çdo të mirë në jetën e tyre! Paqe në zemrat tuaja, dritë në shpirtin tuaj dhe bekime në çdo minutë të jetës suaj!”











