Zyrtarët e BE-së kanë njoftuar një “frenim” të përkohshëm të tarifave hakmarrëse ndaj SHBA-së për produkte të tilla si uiski dhe burbon, të paktën deri në mesin e muajit të ardhshëm.
Në mënyrë të veçantë, zyrtarët nga Bashkimi Evropian thanë të enjten se do të shtyjnë hakmarrjen e tyre kundër tarifave të çelikut dhe aluminit që vendosi presidenti amerikan Donald Trump.
Anulimi i përkohshëm i taksave 50% për uiskin amerikan dhe mallra të tjera shihet si një përpjekje e Unionit për të llogaritur më me kujdes lëvizjet e tij të ardhshme përballë luftës tregtare të nisur nga Trump.
Siç raporton New York Times, duke cituar një deklaratë të zëdhënësit të BE-së, Olaf Gill, ky veprim synon t’u japë kohë zyrtarëve për të rafinuar listën e produkteve që do të preken nga tarifat hakmarrëse evropiane, duke i dhënë gjithashtu BE-së më shumë kohë për të arritur një marrëveshje më të favorshme me SHBA-në, në përpjekje për të parandaluar një luftë tregtare, me kosto si për konsumatorët ashtu edhe për vetë kompanitë.
“BE dhe SHBA gëzojnë marrëdhëniet më të mëdha dypalëshe të tregtisë dhe investimeve në botë”, tha Maros Sefcovic, Komisioneri i Tregtisë i bllokut, gjatë një fjalimi në Bruksel të enjten.
“Duhet të jetë prioritet për të dyja palët mbrojtja dhe zhvillimi i mëtejshëm i kësaj marrëdhënieje”, nënvizoi ai.
Në një telefonatë me homologët e tij evropianë më herët, Seftovic iu tha se administrata Trump nuk dëshiron të negociojë mbi tregtinë deri më 2 prill, kur Shtetet e Bashkuara pritet të shpallin një raund të ri dhe edhe më gjithëpërfshirës të tarifave ndaj partnerëve të tyre tregtarë globalë.
Vihet re se, sipas planit europian të propozuar nga Komisioni, pritet të vendosen tarifa për produktet amerikane në vlerë prej 26 miliardë eurosh.
Në njoftimin e tij, Komisioni thekson se plani evropian do të zhvillohet në dy faza.
Së pari, Komisioni do t’i japë fund pezullimit të kundërmasave ekzistuese ndaj SHBA-së. Këto kundërmasa synojnë një sërë produktesh amerikane që i përgjigjen dëmit ekonomik të shkaktuar ndaj eksporteve të çelikut dhe aluminit të BE-së me vlerë 8 miliardë euro.
Në fazën e dytë – e cila do të vonohet – “në përgjigje të tarifave të reja amerikane që prekin eksportet e BE-së me vlerë mbi 18 miliardë euro”, Komisioni propozon një paketë kundërmasash të reja për eksportet e SHBA. “Ato do të hyjnë në fuqi nga mesi i prillit, pas konsultimit me vendet anëtare dhe palët e interesuara”, njoftoi Stefovic më parë këtë muaj.
Natyrisht, Donald Trump kishte deklaruar në një fazë tjetër synimin e tij për të vendosur një tarifë 200% për shampanjën, verën dhe pijet e tjera alkoolike evropiane – duke kaluar në “kundërsulmin” ndaj këtij plani evropian për uiskin amerikan.
Megjithatë, këto kërcënime të presidentit amerikan kanë dhënë alarmin për liderët evropianë nga vendet prodhuese të verës.
Veçanërisht, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, paralajmëroi një “rrethi vicioz” të masave tregtare dhe kryeministri i Francës, François Bayrou, tha se Evropa rrezikon “të godasë objektivat e gabuar”.