Në Kosovë norma kombëtare e varfërisë është e lidhur me papunësinë e lartë dhe prandaj nuk pritet të përmirësohet ndjeshëm gjatë periudhës 2015 – 2017, thuhet në raportin e fundit të Bankës Botërore. Raporti vë në pah se papunësia mbetet e lartë për shkak se ritmi i krijimit të vendeve të punës pritet të absorbojë vetëm dy të tretat e punëkërkuesve të rinj. Në tregun e punës në Kosovë, sipas të dhënave të zyrtare, çdo vit hyjnë 25 deri në 30 mijë të rinj, të cilët konsiderohen të aftë për punë.
Të dhënat e nivelit të varfërisë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, janë të vitit 2011. Sipas këtyre të dhënave, shkalla e varfërisë së përgjithshme është 29.7 për qind, derisa varfëria ekstreme 10.2 për qind.