Dy persona janë arrestuar nga policia, pasi dyshohet se kryenin vjedhje në biznese dhe automjete në Pogradec dhe Korçë.
Në pranga kanë rënë dy 26-vjeçarë, ndërsa një bashkëpunëtor i tyre është shpallur në kërkim.
Gjatë kontrolleve në banesat e të arrestuarve janë sekuestruar sendet e dyshuara të vjedhura, një shumë parash dhe automjeti që ata përdornin për të lëvizur.
Sipas uniformave blu, tre personat dyshohet se janë autorë të gjashtë vjedhjeve në të dy qytetet.
Njoftimi i policisë:
“Finalizohet operacioni policor “Qarku”
Kryenin vjedhje në biznese të ndryshme në Pogradec dhe Korçë, si dhe në automjete, identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 autorët e dyshuar.
Shpallet në kërkim bashkëpunëtori. Sekuestrohen sendet e dyshuara të vjedhura.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve, identifikimin dhe kapjen e autorëve, organizuan punën, koordinuan veprimet dhe, në kuadër të operacionit policor të koduar “Qarku”, bënë të mundur zbardhjen e 6 vjedhjeve.
Në kuadër të operacionit, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit R. M., 26 vjeç, banues në fshatin Drenovë, dhe R. M., 26 vjeç, banues në Korçë.
Gjatë kontrollit të banesave të këtyre shtetasve, u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sendet e vjedhura, së bashku me një shumë parash dhe një automjet me të cilin këta shtetas lëviznin.
Gjithashtu, u identifikua bashkëpunëtori i tyre, shtetasi E. Ll., banues në Kamëz, i cili u shpall në kërkim. Vijon puna për kapjen e tij.
Gjatë hetimeve rezultoi se këta shtetas dyshohet se janë autorë të vjedhjeve në 5 biznese dhe të disa sendeve në një automjet, vjedhje këto të ndodhura në Pogradec dhe Korçë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin ligjor edhe të disa vjedhjeve të tjera, që dyshohet se janë kryer nga këta shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprën penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim më shumë se një herë”.











