Nga Bashkim SHEHU
Në dimrin e viteve 1990-1991, në kampin e të burgosurve politikë pranë fshatit Shën Vasi të Sarandës, fshat që asokohe quhej “Përparim”, filloi të hynte gjysmëfshehtazi gazeta RD, e Partisë Demokratike, e para parti opozitare dhe e sapothemeluar. Gjer disa muaj më parë, kishim qenë të detyturuar të dëgjonim kolektivisht përditë leximin e Zërit të Popullit në ato që quheshin “orë të edukimit politik”. Me shpërbërjen e armaturave propagandistike totalitare, edhe rregulli i burgut ishte dobësuar dhe ato nuk zhvilloheshin më. Por tani filluam të mblidheshim vetvetiu sa herë që hynte gazeta RD dhe ta lexonim kolektivisht e ta komentonim, në grupe të vogla, ku ndonjëherë madje vinin edhe gardianët për të dëgjuar, të shtyrë nga një kureshtje e padëmshme për ne. Ishte kontakti im i parë me shtypin opozitar të Shqipërisë, me shtypin kritik. Ishte një përvojë ngazëllyese për të gjithë ne. Në atë gazetë thuheshin publikisht gjëra që ishin thënë shumë rrallë, në rreth shumë të ngushtë, dhe që u kishin sjellë vite të gjata burgu atyre që patën folur. Tabutë e regjimit thyheshin njëra pas tjetrës, nga një numër gazete në tjetrën. Në historinë e medias shqiptare të tranzicionit, kjo mund të cilësohet si periudhë e thyerjes së tabuve. Në atë periudhë, filluan të shihnin dritën e botimit edhe gazeta të tjera me të njëjtën frymë, Republika, Sindikalisti… Po ishte një pranverë e shkurtër: pikërisht ajo çka i bënte tërheqëse dhe ngazëllyese këto gazeta, solli zbehjen e interesit për to, ngaqë shumë shpejt nuk mbeti më tabu për t’u thyer. Tani nevojitej një shtyp më informues dhe analizues, ngaqë ligjërimi anatemues e kishte arritur dhe madje kapërcyer pikën e ngopjes. Por një shtyp i atillë kërkonte shumë kohë.
Në vitet që pasuan, me shkatërrimin e ngrehinës së komunizmit si strukturë politike, por jo edhe si kulturë politike, pushteti i ri nuk vonoi të shfaqte atavizma autoritare. Dhe shtypi nuk vonoi të kundërpërgjigjej. Lindi shtypi kritik i pavarur, herë me qëndrime të afërta me ato të partive opozitare, herë me qëndrime më objektive, por që, në përgjithësi, solli një rritje cilësore të gazetarisë. Ndërkohë, shtypi partiak nuk e kishte më atë peshë që kishte pasur në fillim dhe sa vinte e margjinalizohej. Rrjedhimisht, u krijua edhe një shtyp jopartiak i pozicionuar qartazi në favor të pushtetit. Debatet politike ishin shumë të ndezura, me tone tepër agresive. Gjithsesi, shtypi në atë kohë luante një rol themelor në formimin e opinionit, ngaqë i vetmi kanal televiziv, ai shtetëror, vazhdonte me forma të vjetëruara propagandistike në favor të pushtetit dhe kësodore e kishte e humbur besueshmërinë.
Më 1997, u largova nga Shqipëria dhe gjatë tre vjetëve e humba kontaktin me shtypin e saj, nga pamundësia për ta ndjekur online. Kur u ktheva në Shqipëri për herë të parë, në vitin 2000, pashë që shtypi kishte ndryshuar. Ato që kishin qenë gazeta kryesore ishin bërë margjinale dhe hapësirën qendrore e kishin zënë gazeta të reja. Por kishte ndryshuar edhe fizionomia e shtypit. Më parë, trajtoheshin tema politike themelore: demokracia dhe diktatura, autoritarizmi dhe të drejtat e njeriut… Ndërsa tani vija re një tkurrje të dimensionit politik dhe një zhvendosje të debateve në tema më të vogla. Nga ana tjetër, lajmi, informacioni, kishte fituar peshë specifike. Komercialiteti gjithashtu. Me sa duket, ndikonte edhe televizioni: tani Shqipëria kishte një sërë kanalesh të fuqishme televizive private. Këtë mund ta cilësojmë si periudha e dytë e tranzicionit të medias shqiptare, periudhë që vazhdon edhe sot.
Po ç’do të thotë “tranzicion”? Ajo që zakonisht quajmë tranzicion është zgjatur aq shumë saqë ndoshta nuk duhet konsideruar fazë kalimtare drejt një sistemi – në rastin e medias: drejt një modeli, – nga ai totalitar, lindor, tek ai demokratik, perëndimor, por një sistem apo një model më vete, të ndryshëm edhe nga njëri, edhe nga tjetri, dhe me një tipologji pak a shumë të qëndrueshme. Prandaj, ndoshta më mirë se për një fazë të dytë tranzicioni të medias, do të mund të flisnim për një përfundim tranzicioni drejt një modeli mediatik të kristalizuar. Le të shohim disa nga tiparet e tij, duke u përqendruar në median e shkruar, nga pamundësia për ta ndjekur televizionin.
Thamë që shtypi është bërë më informativ krahasuar me vitet e para të postkomunizmit. Ndërkaq, nga pikëpamja e teknikës profesionale, informacioni lë për të dëshiruar. Botohen mjaft lajme të pakonfirmuara, ndërsa përmbajtja shpeshherë është e paqartë, për nga konceptimi dhe gjithashtu për nga cilësia gjuhësore, sidomos në dekadën e fundit. Një mangësi tjetër, me natyrë etike, është ajo e abuzimit me titujt: gjetja e titujve sa më të bujshëm, sa më pikantë dhe mundësisht alarmues, por që shpesh nuk i përgjigjen përmbajtjes së artikullit dhe të japin një ide të përçudnuar të saj. Këto mangësi janë rrjedhojë e një komercializmi që sa vjen e rritet. Në lidhje me debatet në artikujt e opinionit, mund të thuhet se, ndonëse janë larguar nga temat politike themelore krahasuar me periudhën paraardhëse, përsëri ndodh që, sa herë që kemi nxehje të klimës politike, temperatura e agresivitetit në media rritet së tepërmi: në këtë aspekt, përsëri kemi një gazetari llogoresh. Një tipar tjetër, gjithnjë e më i theksuar, është ai i prirjes për lajme sensacionale, çka është bashkudhëtare e komercializmit, po edhe pikëtakim i këtij të fundit me shfaqje të nostalgjisë për të kaluarën totalitare, tjetër karakteristikë dalluese e kësaj periudhe nga ajo paraardhëse. Kjo duket më qartë sidomos në botimin e materialeve që, për nga natyra e përmbajtjes së tyre, janë diametralisht e kundërta e lëndës së lajmit sensacional: ngjarje të së kaluarës paraqiten si sensacione të ditës. Kjo bie ndesh me natyrën e historisë, ngase momentet e historisë marrin kuptim vetëm si pjesë të një rrëfimi që ka vazhdimësi, të një rrëfimi ku ngjarjet e ndryshme faktike janë të lidhura mes tyre në mënyrë të atillë që i bën të shpjegueshme qoftë si shkaqe dhe pasoja, qoftë si korrelacione që u japin fakteve cilësinë e faktorëve ndërveprues. Modaliteti i sensacionit është fragmenti, ngjarja e shkëputur, e veçuar si superngjarje ekskluzive me një shkëlqim që të verbon, si metangjarje absolute që errëson gjithçka tjetër. Modaliteti i historisë është pikërisht e kundërta: është ndriçimi i ngjarjeve nëpërmjet njëra-tjetrës. Ose, për t’iu përshtatur hapësirave të ngushta që ofron një gazetë e përditshme, është kontekstualizimi nëpërmjet komenteve dhe intepretimeve autoriale që sintetizojnë njohjen e historisë gjerësisht. Pikërisht një kontekstualizim i tillë i dokumenteve historike të botuara shkëlqen nga mungesa e tij.
Nga ana tjetër, në këtë periudhë, gazetaria investiguese ka bërë hapa përpara. Kjo u duk veçanërisht në lidhje me dy nga ngjarjet më të rëndësishme të këtyre viteve: tragjedia e Gërdecit në vitin 2008 dhe vrasja e katër demostruese paqësorë më 21 janar 2011. Në të dyja këto raste, roli i medias ka qenë vendimtar në ndriçimin e tyre. E keqja është se, kur nuk ka ngjarje të rëndësishme, ajo synon të paraqesë si të tilla ato që nuk janë. Megjithatë, në të mirë të mediave shqiptare flet në mënyrë të tërthortë fakti se pushtetarë të ngjyrave të ndryshme janë ndier herë pas here të shqetësuar nga media dhe janë përpjekur ta bëjnë të heshtë me masa represive, ose duke synuar ta korruptojnë, por që me sa duket nuk ia kanë arritur, së paku jo plotësisht, përderisa tensionet e pushtetit me median kanë që të vazhdueshme.
Si përfundim, ku mund të vendohet media shqiptare në rrugën e saj nga modeli totalitar te modeli demokratik, nga ai i Lindjes tek ai i Perëndimit? Mund të themi se është një media perëndimore e mangët, ose e papërmbushur: pa dyshim, nuk i ngjan aspak medias së dikurshme dhe, ndërkaq, mbas një ndryshimi të menjëhershëm në momentin e zhdukjes së monopolit komunist mbi shtypin, pati një evoluim drejt modelit perëndimor, porse u ndal në një pikë të caktuar. Mangësitë e lartpërmendura janë po ato të mediave të Perëndimit – së paku i tillë është perceptimi im nga jashtë, nga vendi perëndimor ku jetoj, – vetëm se me trajta më të theksuara. Ashtu sikurse aktualisht modeli i medias në perëndim, veçanërisht mbas fitores së të djathtës në betejën e ideve duke filluar nga vitet tetëdhjetë dhe me bashkëpraninë e mediave sociale të fuqizuara më vonë, është konkomitant me variantin neoliberal të kapitalizmit, modeli i medias shqiptare i përgjigjet formës agresive shqiptare të neoliberalizmit si sistem ekonomik.