Nga Mero Baze
Në vitin 1993, ende shumica e veshjeve ishte njësoj. Sidomos pardesytë, apo palltot e dimrit. Në pritjen për festat e nëntorit në vitin 1993, Bashkim Kopliku dhe Ylli Rakipi kishin pardesy të ngjashme.
Bashkim Kopliku iku i pari nga pritja dhe i mori pardesynë Yllit. Yllit, jo vetëm që i ngeli pardesyja e tij, por nuk ishte në gjendje ta kuptonte e kujt ishte tjetra, pasi në xhepa nuk kishte asgjë.
Pas një ore shoferi i Bashkim Koplikut e gjeti dhe i ktheu pardesynë, pasi gjeti dokumente të Yllit në xhepa.
Ja kujtova më vonë duke bërë humor.
-Çfarë zëvendëskryeministri dhe Ministër i Brendshëm je ti që s’ke asnjë lek nëpër xhepa dhe asnjë letër.
U hutua shumë dhe u përgjigj shumë seriozisht.
-Po aq e kemi rrogën mor djalë, ku t’i gjej lekët.
Bëhej fjalë për një nga njerëzit me më shumë simpati politike në fillim të Partisë Demokratike dhe që i atribuohej fitorja e thellë e Partisë Demokratike në Durrës.
Ai ishte ndoshta politikani më skrupuloz, më i pakorruptueshmi, më sherrxhiu, më i pakompromisi, dhe mbi të gjitha më i binduri se logjika e tregut të lirë dhe standardet e demokracisë mund ta shpëtojnë Shqipërinë nga çdo krizë.
Vinte nga profesioni i inxhinierit elektronik dhe në vitet fundit kishte drejtuar si kryeinxhinier repartin e URT që prodhonte TV shqiptar “Butrinti” “Lura” etj., por kishte aftësinë të përfshihej në çdo betejë, duke u përpjekur të ishte logjik dhe të bindej për atë duhet të bënte.
Aleksandër Meksi, i cili e kishte formalisht zëvendës, në të vërtet e kishte makthin e çdo mbledhje qeverie, ku ai mund të përmbyste gjithë debatet dhe për dy gabime ortografike në një vendim.
Dhe në disa raste Meksi e gjente zgjidhjen. E lajmëronte mbledhjen e qeverisë në orën 10.00 dhe njoftonte gjithë ministrat të vinin më 9. 30 që kur të vinte Bashkimi t’i kishin miratuar VKM-të.
Ai u largua nga Partia Demokratike pas zhgënjimit të vitit 1997 dhe nuk u tundua kurrë të kthehej më aty. Arsyeja ishte se e lidhte dështimin e Partisë Demokratike me Sali Berishën dhe derisa ndjente pushtetin e tij aty, nuk e pranonte atë, as si parti të djathtë, as si demokratike, por si një parti klanore në funksion të një njeriu. Nuk u tundua as nga truku i KOP-it i vitit 2005. E quante një “tualet për të zbukuruar një plak të shëmtuar”.
Por ajo që e ndante Bashkim Koplikun nga PD e sotme ishte logjika. Rrallë kam ndeshur një politikan apo intelektual shqiptar, i cili dhe kur bisedonte për gjënë më banale me ty, donte të bindej me llogjikë.
Dërgonte shpesh shkrime tek gazeta “TemA” dhe një ditë shkrimi i tij ishte spostuar më shpejt se zakonisht nga rubrika në faqen e parë, tek seksioni i rubrikës në fund. Më mori i shqetësuar se dikush ja ka hequr shkrimin, ngaqë ishte kritik me PD.
I shpjegova që shkrimet nuk hiqen, por lëvizin automatikisht sipas parimit orar që ka blogu, ku shkrimi më i ri, shtyn poshtë shkrimin më të vjetër. Mu duk sikur u bind pasi e gjeti dhe shkrimin ndërkohë tek rubrika.
Pas një ore më mori përsëri.
-E studiova blogun e Temës. Nuk është si thua ti. Aty lart tek rubrika “Kryesore” nuk shkojnë të gjitha shkrimet. Si e keni bërë algoritmin që i zgjedh blogu kush ka më shumë rëndësi?
U dorëzova.
-Kjo nuk bëhet automatikisht, -i thashë. E përzgjedh kryeredaktori.
-E pra se më çmende,- tha. Kam një orë që e studioj blogun si lëvizin. Meqë u sqarova, ma kalo pak tek “Kryesore” atë shkrimin.
Aftësia e tij për të bërë betejë llogjike në politikë, në shoqëri, në tryezë, në kafe, në shtëpi dhe kudo, është në të vërtet identiteti i tij.
Me atë mund të ndaheshe apo të bëheshe mik vetëm nëse thoshje diçka logjike. Dhe në një parti si PD, ku logjika është një pemë që nuk rritet në oborr të saj, ai nuk mund të afrohej më kurrë.
Po shikoja mesazhet e fundit me të në fillim të muajit nëntor. Beteja e fundit e tij, ishte një utopi më vete. Donte të përshtaste alfabetin e gjuhës shqipe me botën digitale ku jetojmë, duke i shpallur luftë gërmës “ç” dhe “ë”, pasi nuk i kanë tastierat.
Edhe pse i krijoja idenë që është betejë e humbur dhe të mos më lodhte kot, ai ka këmbngulur duke më dërguar katër versione të studimit të tij për këtë çështje, se si mund të zëvendësojmë “ç” me “ch” dhe “ë” me “f” në pozicione të veçanta. Duket një lloj aventure, jashtë fushës dhe profesionit të tij, por brenda logjikës së një njeriu që donte të ndryshonte bashkë me botën. Shqetësimi i tij ishte se shqipja duhet të kishte një alfabet praktik në botën digitiale, ku çdo gjë shkruhet me kompjuter.
Pastaj e kapi COVID dhe një nga miqtë e tij në Durrës që i qëndroi afër më tregoi dhe betejën e tij me mjekët, duke u përpjekur të bindej për çdo rekomandim të tyre.
Më në fund ishte bindur që ata kishin të drejtë, por COVID ishte më i pabindur se ai dhe e mundi pa pikë logjike, duke lënë pas boshllëkun që lë një njeri me dinjitet, që donte të jetonte një botë, për të cilin të ishte i bindur dhe i qartë se çfarë ishte. Një njeri i vërtetë.