Nga Skënder Minxhozi/
Lulzim Basha u tregua edhe një herë jashtë standartit dhe formatit politik që përfaqëson. Ai nxorri sot zëvendësin e tij për të njoftuar se kryetari i ri Erion Veliaj do të pritet në zyrën e tij nga drejtorët dhe stafi i bashkisë. A thua se egzistonte mundësia që Bashkia e Tiranës të zbrazej e gjitha në 30 korrik, në momentin që kreu i ri i godinës do të shkelte në të!
Shqipëria ka një çerek shekulli demokraci pas shpine. Janë zhvilluar mbi një dyzinë zgjedhjesh, janë kryer tre rotacione pushteti dhe janë zgjedhur e kanë qeverisur disa mijëra administratorë të të gjitha niveleve politike e institucionale. Që një kryetar bashkie, i cili është më së pari edhe kryetar i njërit prej paneleve të mëdha politike, të mos denjojë të shtrëngojë duart me pasardhësin e tij në zyrën e Bashkisë së Kryeqytetit, kjo është një rënie e panevojshme stili dhe një mesazh tërësisht i gabuar për votuesit tiranas, të cilët dolën të shumtë në 21 qershor dhe votuan lirisht administratorin e tyre për katër vjetët e ardhshëm. Për më tepër, situata politike në këtë dorëzim stafete në Tiranë, nuk ngjan më fatmirësisht me verën e trazuar të vitit 2011, kur mandati i bashkisë u dha në gjykatë, e jo me vota.
Lulzim Basha nuk po le asnjë rast pa treguar, se vijon të mbetet një politikan i tranzicionit postkomunist, e jo një lider politik i gjeneratës së re që do ta fusë vendin në Bashkimin Europian. Evitimi aspak elegant i përballjes fizike me Erion Veliajn, që nuk përbën as trimëri dhe as ndonjë heroizëm të parrëfyer, i shton edhe një vizë të kuqe listës së gjatë të sjelljes së tij të bazuar kryekëput në stilin e vjetër politik të viteve ’90. Basha po ikën nga zyra, nuk po e dorëzon atë siç e do procedura dhe stili i sjelljes së një shtetari të një demokracie liberale. Ai humbi një rast të mirë për të treguar se është i përbërë nga një lloj tjetër brumi nga paraardhësi i tij.