Në vijim të turit “Fjalën e kanë qytetarët”, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u takua me fermerët në Vranisht.
Basha ka dëgjuar nga fermerët shqetësimet e tyre, pamundësinë për të shitur prodhimet e tyre, të cilat për të dytin vit me radhë po kalben. Pavarësisht prodhimit të madh që ka pasur këtë vit tregu, thanë fermerët, dominohet nga mallrat e importit që hyjnë pa doganë dhe pa taksë.
Fermerët i treguan Bashës mollët që po u kalben për të dytin vit me radhë në mungesë të tregut dhe pse ato shiten me çmime simbolike dhe shumë poshtë kostos që këtë vit është rritur edhe më shumë.
Fermer: Eja me mua dhe shihi mollët. 5 leka është kilogrami i tyre, turp i madh. Gjynah!
Fermer: Drejtori i Bujqësisë na foli në televizor që kemi 28 milionë ilaç për të hedhur për minjtë. Ne po na hipën minjtë nëpër mollë. Bie ajo mollë e mirë poshtë, atë mollë nuk e ha dot se na e ha miu. Doli në televizor hodhi në një parcelë, nga hodhi dhe i futi gjithë paratë në xhep.
Fermer: Gjithë këto prodhime kaq të bollshme, kaq cilësore të mos përfillen nga ata që drejtojnë, kjo është katastrofë dhe këtu duhet të përqendrohet edhe politika e opozitës.
Lulzim Basha: “Ne do të bëjmë gjithçka për të siguruar tregun me çdo kusht duke i prerë rrugën kartelit të kontrabandistëve që sjellin prodhimet nga jashtë pa doganë e pa taksa dhe konkurrojnë djersën tuaj dhe fëmijëve tuaj. Rrugët e zgjidhjes kalojnë përmes ndihmës financiare drejt të sektorit bujqësor. 12 milionë në vitin më të keq ka qenë ndihma financiare në qeverinë e mëparshme, 6 milionë është këtë vit. Pa derdhur minimalisht tre herë më shumë në vit, se ç’kemi dhënë ne në vitin më të mirë bujqësia nuk ka për të parë ditë të bardhë. Prandaj kur themi bujqësia është prioritet, prioriteti matet me para dhe jo me llafe, se llafet i merr era dhe mollët i hanë miu.”
Rritja e çmimit të naftës, energjisë elektrike e plehrave, etj. Ka rritur ndjeshëm koston e prodhimeve bujqësore, thanë fermerët të cilët i kërkuan zotit Basha që politikat e Partisë Demokratike të orientohen drejtë lehtësirave për fermerët.
Shitëse: 210 lekë ka vajtur kostoja e kësaj qepe.
Lulzim Basha: Sa?
Shitëse: 210 lekë, unë me 220 lekë po e shes.
Fermer: Duam të ulet kostoja e shpenzimeve, pikërisht nafta. E dyta, plehrat kimike dhe pesticidet, dhe njëkohësisht nëpërmjet politikave qeveria të rrisë diçka akcizën në doganë, dy- tre muajt e vjeshtës sa të shitet prodhimi vendas. Kaq do fshatari dhe të heq kapelën.
Fermer: Ne fasulet i kemi tërë në shtëpi. Pyeti të gjithë këta, kanë nga 10 kuintalë. Sivjet kanë përsëri u bënë 20 kuintal, të tërë i kanë në shtëpi. E kemi stok mallin. Nuk e dimë se çfarë do të bëhet, është gjynah, djers e lekë e harxhuar e këtij populli. Është katastrofë, katastrofë.
Basha ka bërë të ditur se në programin e demokratëve do të ulet çmimi i naftës me 240 lekë për litër, çmimi i energjisë dhe sa i përket taksave, zoti Basha theksoi se demokratët do të vendosin taksën e sheshtë më të ulët në Europë prej 9 përqind. Në fshat, tha zoti Basha përveç taksës së tokës e cila duhet të mos kalojë kurrsesi nivelin e 3500 lekë të vjetra, nuk do të ketë asnjë taksë tjetër.
“Vendosja e taksës së sheshtë, qëllimin kryesor ka të rrisë tregun. Këtu në fshat përveç taksës së tokës, e cila duhet të mos kalojë kurrsesi nivelin e 3500 lekë të vjetra, asnjë taksë tjetër nuk duhet ti merret fshatarit. Përkundrazi duhet ti sigurohet përmes masave ndihmuese për naftën dhe imputet e tjera që djersa e tij të mos derdhet në lumë por të kthehet kthehet në bereqet për fshatin, për ju vetë edhe për konsumatorin në qytet përmes çmimeve më të ulura,”- tha Basha.