Kryetari i PD-së Lulzim Basha u takua me banorë të Petrelës dhe Vorës. Basha theksoi në fjalën e tij që Rama-Meta, jo vetëm nuk mbajtën premtimet por votuan kundër dhe propozimeve të Partisë Demokratike për t’u ardhur në ndihmë fermerëve.
“Premtuan që do të hiqnin akcizën e naftës për bujqësinë, premtuan një fond prej 40 milionë dollarësh në vit për bujqësinë. A kanë parë gjë fermerët e Petrelës nga këto fonde? Sa prej jush kanë marrë subvencione në këto dy vite? Ne i çuam propozimet që ju të paguanit më pak kur blini farërat, fidanët, lëndët e tjera të para, propozuam të hiqej taksa e qarkullimit, naftën që përdorni ju dhe këta i rrëzuan pa argument, prandaj nuk vijnë këtu të flasin për këto probleme, harxhojnë orë e orë të tëra duke sulmuar opozitën, duke sulmuar kandidatët e opozitës. Pse e bëjnë këtë? Sepse po mos të bëjnë këtë , duhet të japin përgjigje për premtimet e pambajtuara, sepse po nuk bënë këtë, duhet t’ju ofrojnë ju një zgjidhje, po zgjidhje nuk kanë” tha Basha
Lideri i opozitës Lulzim Basha u ka kërkuar qytetarëve që ditën e votimit të kujtojnë premtimet e pambajtura të Edi Ramës dhe Ilir Metës, mungesës së përpjekjeve për të bërë diçka për hallet dhe problemet e qytetarëve dhe të vlerësojnë ofertën e PD nëse ajo është e duhur për të futur në rrugën e zgjidhjes problemet me të cilat ndeshen qytetarët sot.
“Në 21 qershor, unë kërkoj që gjithsecili prej jush të mbajë mend tre gjëra. Nëse këta i mbajtën premtimet e para dy viteve apo jo? Nëse këta bënë diçka për t’i mbajtur premtimet apo jo? Dhe së treti, të vlerësoje nëse për ju, platforma ime funksionon dhe kjo është platforma e uljes së taksave, kjo është platforma e uljes së çmimit të energjisë dhe e faljes së kamatë-vonesave për të gjithë shqiptarët, kjo është platforma e rritjes së rrogave dhe pensioneve, kjo është platforma e subvencioneve për bujqësinë, e uljes së çmimit të naftës. Në 21 qershor, me votën tuaj ju do të mund të arrini atë që opozita nuk arriti dot në parlament, sepse këta kishin kartonat” tha ai









