Kryedemokrati Lulzim Basha u ndal në plazhin e Golemit në Kavajë ditën e sotme për të biseduar me disa biznese të zonesës.
Prej andej deklaroi se operatorët turistikë në Golem janë në vështirësi të mëdha financiare. Ai tha se socialistët po e ndjejnë largimin nga pushteti dhe po japin leje zhvillimore kuturu.
“Është një situatë dramatike dhe, ç’është më e keqja, pa asnjë farë perspektive dhe sigurie për nesër. Dhoma Amerikane e Tregtisë AmCham, publikoi rezultatet e përvitshme të anketës të vitit 2019, e cila siç e tha presidenti i kësaj dhome, siç e theksoi edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është më i keqi nga 8 vite, ekonomia është në krizën më të thellë në 8 vite. Pra, kjo nuk është një situatë që na erdhi thjesht nga COVID-i apo, në rastin e Golemit, nga tërmeti. Është një situatë në vazhdimësi që ka shkuar keq e më keq, por tani me të vërtetë ka prekur fundin. Pikërisht në këtë moment, kur duhet dora e shtetit, në këtë moment duhet dora e qeverisë, qeveria është fshehur, qeveria është në arrati. Qeveria e ka braktisur detyrën e vet, ka braktisur misionin e vet, ka braktisur sipërmarrjen, ka braktisur turizmin”, u shpreh Basha.
Ai shtoi se është i vetmi vend me vijë bregdetare, i cili nuk ofron absolutisht asnjë paketë mbështetje reale dhe serioze për turizmin.
“Përfitoj nga rasti këtu në Golem t’u bëj të ditur qytetarëve shqiptarë se asnjë prej vendimeve të marra 12 muaj para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, kurdo që të jenë ato, nuk do të njihet nga qeveria ime pa iu nënshtruar një procesi transparent për të parë ligjshmërinë e vendimeve të marra. Ndaj i bëj thirrje çdo biznesmeni apo më keq sekseri dhe pseudo biznesmenëve, të mos gënjejnë njerëzit kot, të mos ushqejnë ëndrrat që ushqehen sa herë vjen tranzicioni, sa herë që vjen rotacioni i pushtetit të një qeverie në ikje “t’kapim çfarë t’kapim”, sepse çdo vendim i marrë 12 muaj para zgjedhjeve parlamentare, qoftë vendim qeverie qoftë, vendim i Këshillit të Rregullimit të Territorit, si ato që kaluan në 2 javëshin e parë të qershorit, qoftë vendimet e parlamentit apo të pseudoparlamentit, do t’i nënshtrohen një rishikimi të plotë transparent, për të parë ligjshmërinë dhe për të parë përputhjen me interesin publik”, tha Basha.
/a.r











