Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka bërë një shënim në facebook me rastin e përkujtimit të 30 vjetorit të vrasjes së poetit Havzi Nela.
Në mesazhin e tij basha shkruan: “Mbi një komb të tërë rëndon edhe sot mëkati për varjen në litar të një poeti për vargjet e tij!
E zezë është faqja e atij kombi që pranon të predikojnë sot për drejtësi xhelatët e pandëshkuar të krimeve të komunizmit dhe bijtë e tyre të papenduar!
E keqja përsëritet nëse nuk e dëgjojmë kumtin e Havzi Nelës se çfarë të zezash e presin atë popull dhe shoqëri ku vdes fjala e lirë dhe shpirti i kundërshtimit ndaj të keqes.”
Postimi i plotë:
3 dekada mbushen sot nga dita kur xhelatët gjakatarë të Tiranës komuniste varën në litar në mes të Kukësit, poetin që i këndoi lirisë Havzi Nela. E dënuan me vdekje poetin vetëm se i thurte himne lirisë. Sepse asgjë nuk i tmerronte më shumë se liria, kriminelët e rrëgjuar të Byrosë, dorasit e tyre në Sigurimin e Shtetit, dhe pseudo-intelektualët që me zellin e tyre kriminal ishin po aq duarngjyer në gjakun e poetit.
Ishte viti kur perdja e hekurt po grisej dhe Europa po çlirohej nga tirania komuniste.
Por ashtu si në tragjeditë e Eposit të Kreshnikëve, duhej një theror tjetër i përgjakshëm për ta shkundur nga koma Shqipërinë e izoluar e të varfëruar deri në dhimbje dhe shqiptarët e zvetënuar nga frika e terrorit, nga trushpëlarja, të shpronësuar e të ndaluar me ligj të besonin në Zot, të mendonin vetë, të flisnin të lirë, të kishin pronën e tyre private e të drejtat e tyre njerëzore.
Ky theror në altarin e lirisë ishte poeti, mësuesi, patrioti dhe shqiptari i pathyeshëm nga Kukësi, Havzi Nela, sfidanti me vargje i diktaturës së ligë e gjakatare dhe krimeve të saj kundër shqiptarëve. Pas 21 vitesh burg, tortura dhe internime, diktatura humbi çdo shpresë që ta mposhte shpirtin e tij të lirë ndaj vendosi ta vrasë në mes të Kukësit për ta bërë shembull. Por vetëm e përjetësoi Havzi Nelën, martirin e lirisë.
Mbi një komb të tërë rëndon edhe sot mëkati për varjen në litar të një poeti për vargjet e tij! E zezë është faqja e atij kombi që pranon të predikojnë sot për drejtësi xhelatët e pandëshkuar të krimeve të komunizmit dhe bijtë e tyre të papenduar!
E keqja përsëritet nëse nuk e dëgjojmë kumtin e Havzi Nelës se çfarë të zezash e presin atë popull dhe shoqëri ku vdes fjala e lirë dhe shpirti i kundërshtimit ndaj të keqes. Nderimi më i madh për poetin kryelartë të lirisë, është të ngrejmë krye kurdoherë kundër tiranisë së të keqes, për liri, për demokraci, për Zot dhe Atdhe, për veten dhe fëmijët tanë!
Lavdi përjetë Havzi Nelës!
a.ç