Kontratën e lobimit 6 mln dollarë të PD-ADSHM me kompaninë amerikane “Continental” ai e cilësoi si një “kontratë për hallet personale të familjes së Sali Berishës”, që tani edhe shumë demokratë e kuptuan të vërtetën, duke u bërë thirrje që të mbështesnin Koalicionin Euroatlantik më 11 maj, pasi ishte PD-ja e vërtetë.
I ftuar sot në ‘Studio Live’ të Report Tv, teksa i përgjigjej pyetjeve të moderatorit Arbër Hitaj, ai deklaroi se KEA nuk ka në listat e kandidatëve “mish dhie” siç ka futur PD-ja e Berishës, me ish-gjyqtarë e prokurorë të shkarkuar nga Vetingu (i referohet gjyqtarit sheik Gjin Gjoni dhe ish-prokurorit Arjan Ndoja), me Ilir Metën dhe me Elvis Roshin.
“Kush voton për numrin 1, nxjerr Metën nga qelia dhe e bën deputet, bën Elvis Roshin dhe gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga vetingu, si dhe liron shokët e Ramës nga 313-a”, tha Bsasha me stë tjerash.
Ai shpjegoi erdhe arsyen pse dy forcat e mëdha nuk donin votimin elektronik.
“Të bëhej identifikim me shenja gishtrinjsh, pasi të dhënat janë të siguruara dhe numërimi elektronik ishte i mundur, sikurse në vende të tjera. E kundërta ndodhi, me keqadministrim dhe kjo është një hile. Pasojat i shohim me atë që ka ndodhur në Greqi. Megjithatë ne kemi vijuar punën në takimet me diasporën në të gjitha vendet si Angli, Itali, Greqi, Gjermani etj. Kemi dashamirësinë e njerëzve që duan ndryshim, pasi për 4 vite ka pasur më shumë korrupsion dhe varfëri. S’mund të ketë riciklim të rrangallave. Lufta siç shpall Berisha nuk bëhet as me Ilir Metën dhe as me Elvis Roshin në listat e kandidatëve për deputetë”, tha Basha.
I pyetur për kontratën e lobimit 6 mld dollarë të PD-së, Basha tha se:
“Gjithçka bëhet për të fshehur një të vërtetë që nuk e fshehin dot më, hallin personal të familjes së Berisha dhe anën tjetër të marrëveshjeve të fshehta mes Ramës dhe Berisha. Nëse votojnë Ramën dhe numrin 5 është për të nxjerrë shokët e Ramës nga 313-a, nëse votojnë 1-shin do nxjerrin Ilir Metën nga burgu dhe do e bëjnë deputet. Demokratët e kuptuan tani se kush është PD-ja e vërtetë”.
Ai i bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të mos votonin për të liruar të korruptuarit nga burgu dhe se pas 11 majit, nëse KEA do ketë në dorë numrat për qeverinë si ‘kingmaker’, ai vuri tre kushte, duke mohuar bashkëpunimin me të korruptuarit.
“Thirrja ime është për socialistët e ndershëm, jo për ata 7 herë 7 bëjnë 313, por për ata që mezi sigurojnë kafshatën e gojës. Teksa të tjerëve u myken paratë, shumë qytetarë nuk nxjerrin dot muajin. Shpresa është Koalicioni Euroatlantik. Po qajnë hallin e përbashkët, por koston e ka PD-ja. Koalicioni Euroatlantik ekziston si një kauzë e madhe, kush e sheh për interesa personale është jashtë këtyre listave dhe koalicionit tonë. Nuk jemi për të ricikluar figurat e konsumuara të korrupsionit apo shokët e Ramës, që një pjesë janë në burg dhe të tjerët rrugës për atje. Asnjë bashkëpunim me të korruptuarit, asnjë bashkëpunim me ata që nuk ndihmojnë SPAK dhe reformën në drejtësi, asnjë bashkëpunim me ata që nuk janë të linjëzuar me partnerët tanë strategjikë”, tha Basha, duke shpallur edhe 3 kushtet.
Madje kreu i Demokratëve Euroatlantikë akuzoi dy forcat e mëdha politike edhe për vjedhjen e programit elektoral, sidomos për pjesën e pensioneve dhe atë ekonomik.
“Edhe programin për pensionin e morën nga i yni dhe e kanë bërë si lojë kungulleshkash, teksa bëjnë lojëra fjalësh për luftën ndaj korrupsionit. Kjo është tallje që i bëjnë ata qytetarëve. Me ne gjithçka nis me luftën ndaj korrupsionit, mbështetje ndaj SPAK-ut. Nëse ke plan të fshehtë, do kemi përsëritje të 4 viteve të fundit, do kesh sulm ndaj drejtësisë, korrupsion, varfëri, mungesë mbështetje ndaj fermerëve, as rritje rrogash e pensionesh”, nënvizoi Basha.
Ai apeloi që shqiptarët të zgjidhnin numrin 4 në fletën e votimit më 11 maj, pasi është PD-ja e vërtetë, ndryshe nga çfarë kanë treguar dy forcat e mëdha, duke përdorur edhe termin “mish dhie” për ta.
“Partia Demokratike e vërtetë është Koalicioni Euroatlantik. Ne jemi ata që siç thotë populli nuk kemi “mish dhie” si Elvis Roshi, si Ilir Meta, si gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga Vetingu të futur nëpër lista. Shpresa është mbivendosur te PD-ja, me hallet personale mbi ato të vendit dhe partisë dhe shumë demokratë tani e kanë kuptuar. Çdo demokrat tani e di, e gjen veten te KEA dhe numri 4, e jo te lista me Ilir Metën dhe çdo sejmen tjetër. Lista e PD përfaqëson hallet personale të Berishës dhe Metës, ashtu sikurse edhe listat e Ramës”, u shpreh Basha për Report Tv.

