Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka akuzuar kryeministri Edi Rama dhe kryetarin e Kuvendit Ilir Meta se kanë mbyllur korrupsionin më të madh në histori.
“I ashtuquajturi pajtim Rama-Meta për skandalin CEZ është pajtim për të zezën e shqiptarëve, është marrëveshje bashkëfajtorësh për të shtrydhur pushtetin, për të përfituar dhe për tu pasuruar përmes pushtetit”tha ai.
Më tej kreu i opozitës shprehet se “Po luhen lojëra të ndyra me paratë e shqiptarëve për të luajtur fatin e tyre.
I ashtuquajti komplot për destabilizim ishte kërcënim për Edi Ramën duke kujtuar të kaluarën e tij, por gabojnë ata që mendojnë se meqë u zverdh Edi Rama, afera Rama Meta u varros. Ne nuk do ta lejojmë mbylljen e skandalit”, tha Basha.
Javën e kaluar shumica rrëzoi kërkesën për futjen e hetimit të CEZ në rendin e ditës me procedurë të përshpejtuar.
Por Basha shprehet se PD do të vazhdojë kauzën. “I kërkoj Ramës e Metës që të votojnë për hetimin dhe transparencë. Zbardhuni para qeverisë e qytetarëve për skandalin me të madh të kohës”, tha Basha.