Në mbledhjen e rradhës së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kreu Lulzim Basha e nisi aty ku e la javën e kaluar, e pikërisht në akuzat për proces të manipuluar të zgjedhjeve vendore.
Në fjalën e tij Basha tha se mazhoranca ka përdorur në fushatë për blerjen e votës para nga buxheti i shtetit. Sipas tij Rama-Meta kanë goditur në themel zgjedhjet dhe se të gjitha shkeljet dhe manipulimet do të pasqyrohen nga opozita në ditët në vazhdim.
“Ka qenë tronditëse e vërteta që kanë dëgjuar vëzhguesit e huaj, sa nuk kanë pritur dy muaj për t’i vënë damkën e krimit elektoral në raportin e tyre përfundimtar. Mafiet e dyshes Rama-Meta nuk kanë mbetur pa u dokumentuar, qoftë me presionet për blerje vote, ashtu edhe rrëmbimin e kartave të identitetit, presionit nëpër shkolla dhe pranë qendrave të votimit. Hajdutët dhe zuzarët e zgjedhjeve të 21 qershorit u kanë ofruar një model të rinjve; vidh se kështu nuk ndëshkohesh. Siç dihet, nga doganat kanë rënë në pikiatë të ardhurat, të cilat nuk dihet se ku shkojnë. Ato para u përdorën në fushatë për të blerë votat”, tha Basha.
Basha theksoi gjithashtu para deputetëve të partisë së tij se ka mbarrë mbështetje nga Brukseli nga Viena për kauzat që ai ka shtruar para tyre.