Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vizitoi disa familje të përjashtuara nga skema e ndihmës ekonomike në Bashkinë e Kavajës.
Partia Demokratike e konsideron situatën një emergjencë kombëtare dhe ka thirrur në një interpelancë kryeministrin Rama, por ai e ka shtyrë përgjigjen për në mesin e marsit. Basha u shpreh se qeveria i ka paratë, por prioritet i saj nuk është ndihma e njerëzve në nevojë.
“Jo 20 mijë që ka hequr, por 47 mijë familje mund të paguhen në qoftë se lekët e shtetit nuk i çon për inceneratorët privatë të Arben Ahmetaj, që do të thotë se i çon tek xhepat e Arben Ahmetajt dhe tek xhepat e vet”, tha Basha.
Duke parë nga afër këtë situatë, kryedemokrati e ka cilësuar si të mjerueshme gjendjen në familjen e Kastriot Mihanit. Baba i dy fëmijëve dhe i bashkëshortes me probleme mendore, Kastrioti tregon dhimbjen e një kryefamiljari që, ndryshe nga sa thotë kryeministri, nuk gjen dot punë dhe nuk mund t’u sigurojë bukë fëmijëve.
“Të më ofrojë punë, atëherë po. Po nuk shkova me punu, le ta heqë ndihmën. Unë jam njeri që punoj kudo. Si e heq përkrahjen pa lidhje? Çfarë do të hanë kalamajtë? Kanë ikur kalamajtë pa bukë sot në shkollë”, shprehet Kastrioti.
Mes familjeve të përjashtuara nga ndihma ekonomike ka shumë nga ato që kanë fëmijët sëmurë, por, sërish nuk marrin asnjë ndihmë nga shteti. I tillë është rasti i Fatmira Shimës, e cila e përballon e vetme pamundësinë e familjes së saj.
Sipas Bashës, ndihma ekonomike u është hequr edhe grave të dhunuara nga burrat, që rrisin të vetme fëmijët dhe pa ndihmën ekonomike nuk kanë asnjë të ardhur tjetër. Me bashkëshortin në burg për dhunë në familje, Liljana Eminaj rrit e vetme dy fëmijë të mitur, njëri prej të cilëve detyrohet të shkojë në shkollë dhe të punojë.