Një emigrant i paligjshëm është gjendur pa shenja jete në fshatin Trestenik të Devollit në kufi me Greqinë. Sipas informacioneve mësohet se emigranti është i kombësisë siriane dhe trupi i tij është gjetur nga policia dhe Frontex.
Sipas të dhënave paraprake në trupin e sirianit nuk janë gjetur shenja dhune, dyshohet se ka ndërruar jetë nga i ftohti. Nga policia po kryhen të gjitha veprimet procedurale për zbardhjen e mëtejshme të kësaj ngjarje.
Kujtojmë që në juglindje janë të shumta shtigjet të përdorura nga emigrantët e paligjshëm një ndër to edhe fshati Trestenik në Devoll.
Ulja e temperaturave nuk e ka frenuar fluksin e emigrantëve të paligjshëm që vijnë nga Lindja e Mesme dhe që nëpërmjet Shqipërisë synojnë vendet e BE.
Njoftimi i Policisë:
Më datë 12.11.2023, rreth orës 07:10, në pyllin e fshatit Trestenik, Devoll, është gjetur pa shenja jete nga banorët e zonës, një shtetas ende i paidentifikuar, rreth 40 vjeç, i cili nga të dhënat e para dyshohet se mund të jetë emigrant i paligjshëm.
Nga këqyrja paraprake e trupit të tij, nuk janë konstatuar shenja dhune dhe dyshohet se vdekja mund të jetë shkaktuar për shkaqe natyrale.
Trupi i pajetë do të dërgohet drejt morgut, ku pritet përgjigjja e ekspertizës mjekoligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes.
Grupi hetimor, po punon për identifikimin e viktimës si dhe për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
/a.d