Banorët e Njësisë Administrative Fushë-Bulqizë kanë dorëzuar sot në Bashkinë Bulqizë një peticion kundër ndërtimit të hidrocentralit, vetëm pak minuta përpara mbledhjes së Këshillit Bashkiak ku pritej të diskutohej çështja. Dokumenti mban rreth 350 nënshkrime të banorëve dhe pronarëve të tokave që preken drejtpërdrejt ose indirekt nga projekti.
Në kërkesën e tyre, banorët theksojnë se deri më tani nuk është zhvilluar asnjë proces i rregullt konsultimi publik dhe se dokumentacioni teknik e mjedisor nuk u është vënë në dispozicion. Ata paralajmërojnë se mosrespektimi i procedurave ligjore mund të sjellë pasoja të pakthyeshme për mjedisin dhe jetën sociale të zonës, duke rrezikuar përshkallëzim të konfliktit.
Komuniteti kërkon që çdo vendim për ndërtimin e HEC-it të merret vetëm pas publikimit të raportit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis dhe zhvillimit të dëgjesave publike në fshatrat e prekura. Në peticion theksohet se projekti prek burimet ujore, tokat bujqësore, pyjet dhe ekosistemin e zonës.
Projekti i HEC-it rikthehet në tryezën e vendimmarrjes pas gati shtatë vitesh pezullim, pas përplasjeve të forta me banorët në vitin 2019, kur këshilli nuk arriti të mblidhej për tri herë radhazi për shkak të kundërshtimit të komunitetit. Në rendin e ditës të mbledhjes së planifikuar për 6 mars 2026 ishte përfshirë projektvendimi për heqjen e sipërfaqeve nga fondi pyjor dhe kullosor, një hap ligjor kyç që i hap rrugë nisjes së punimeve në përroin e Hetmit dhe zonën e Sheshit të Vogël.
Megjithatë, mbledhja e sotme e Këshillit Bashkiak u anulua dhe u shty për një datë tjetër, ndërsa banorët shprehen se do të vijojnë rezistencën për të mbrojtur tokat dhe burimet e tyre natyrore.











