Dëshmia e tij është dhënë pak javë më parë në një prej seancave të procesit që zhvillohet me dyer të mbyllura për publikun. Rrëfimi i Gjokonës është administruar nga gjykata dhe përbën një nga provat më të forta të organit të Prokurorisë kundër të pandehurve të këtij procesi. Në këtë pjesë të parë të dëshmisë, Gjokona tregon si u rekrutua në atë që më vonë u cilësua si “banda e tritolit”, njohjen e tij me të penduarin tjetër, të dyshuarin si vrasës me pagesë, Julian Sinanaj dhe veprimet e kryera prej tij për llogari të vrasjes së shtetasit Sokol Veizi.
Në rrëfimin e tij, Gjokona pretendon se pasi ka mësuar nga të bashkëpandehurit e tij se po planifikonin një vrasje, është përpjekur të mos përfshihet. Të paktën këtë qëndrim shpreh ai kur tregon momentin që Andon Mëhilli i kishte kërkuar t’i siguronte një motor. Por më vonë, pasi tregon gjithë veprimet që ka kryer në kohën kur dyshohet se Julian Sinanaj ka vrarë Sokol Veizin, Gjokona shprehet se “isha i përlyer kokë e këmbë”.
Në faktet e rrëfyera prej tij në sallën e gjyqit, i penduari Gjokona u ka qëndruar besnik deklarimeve të dhëna prej tij në Prokurori gjatë fazës së hetimeve. Për shkak se është i pandehur në proces, Gjokonës i është kërkuar të shprehte pëlqim nëse do të jepte deklarime. Ai ka treguar gatishmëri t’u përgjigjej pyetjeve të palëve.Gazeta “Panorama” publikon sot dëshminë e dhënë në sallën e gjyqit nga i pandehuri për bashkëpunim në disa vrasje,
DESHMIA E GJOKONAJT NË GJYKATE
Kryesuesi i seancës gjyqësore: I pandehuri Ndriçim Gjokona, gjykata ka vendosur të merret si provë në gjykim, pyetja juaj sipas nenit 166 të Kodit të Procedurës Penale.
Kjo provë mund të merret nëse ju jepni pëlqimin për t’iu përgjigjur pyetjeve të palëve në këtë proces. Ju sot e jepni pëlqimin për t’iu përgjigjur palëve në proces. Cili është vullneti juaj?
I pandehuri Ndriçim Gjokona: Po e jap pëlqimin. Do t’u përgjigjem të gjitha pyetjeve të palëve.
Prokurori Besnik Muçi: Mund të shpjegoni njohjen tuaj me të pandehurit në këtë proces? Në çfarë rrethanash jeni njohur me këta pandehur? Çfarë veprimesh keni kryer me këta të pandehur, veprimtarinë tuaj dhe atë të tyre?
Gjokona: Desha të sqaroj njëherë gjykatën, se lidhur pyetjen për gjendjen time gjyqësore. Gjykata më ka pyetur nëse kam qenë i dënuar dhe kam deklaruar që nuk kam qenë i dënuar. E kam pasur fjalën për në Shqipëri, ndërsa jashtë shtetit kam qenë i dënuar më parë. Në Shqipëri jo. Atje në Itali jam dënuar për grabitje, ndërsa në Greqi për trafik klandestinësh. Përsa i përket njohjes me të pandehurit e tjerë, fillimisht jam njohur me Andon Mëhillajn, te shtëpia e vjehrrës së tij, quhet L. P. nëse nuk gaboj. Aty kemi shkëmbyer numrat e telefonave. Bëhet fjalë për vitin 2010. Kemi shkëmbyer numrat, për faktin që nëse Andoni do të kishte punë në shtëpinë e tij për sa i përket zanatit tim. Unë kam pasur një numër me 011 në fund, nëse nuk gaboj, kurse Andoni numrin 069xxxx810. Pasi shkëmbyem numrat, diku nga dhjetori 2011, më ka marrë në telefon dhe më ka kërkuar të shkojmë në shtëpinë e tij për të bërë disa riparime elektrike. Banesa e tij është pranë Shtëpisë së Oficerëve në Vlorë. Pasi kam vajtur e kam parë problemet në shtëpinë e tij, kam konstatuar se duhej të ndërrohej gjithë kuadri elektrik dhe disa çelësa takim-stakimi.
REKRUTIMI NGA MEHILLI
Aty, kur kam vajtur tek Andon Mëhilli, kam gjetur një person tjetër që atë kohë nuk e njihja dhe Erioni, pra Andoni, ma ka prezantuar si vëllain e tij. Ai ishte E. L. dhe në atë periudhë kërkohej, për një vrasje bashkë me vëllain e tij në Vlorë. Fillova të shoqërohem me to dhe dilnim nganjëherë pinim kafe.
Në prill 2012, më ka marrë sërish në telefon Erioni dhe donte të ndërronte linjën e furnizimit të energjisë elektrike nga kabina në shtëpi dhe e pashë që më afrohej sa më shumë dhe kërkonte të rrinte me mua. Gjatë kësaj kohe më ka kërkuar që, pasi ka pasur debate me xhaxhain e tij G. M., të bëja diçka të cilën do ta shpreh, por më ka kërkuar t’i blija një bidon me acid dhe t’ia hidhnim gruas së G. M. pasi kishin pasur debate që në kohën e Enverit. Siç thoshte Erioni, ata favorizoheshin më shumë e këta ishin të persekutuar. Kjo ka vazhduar edhe pas viteve ’90.
Unë nuk e pranova propozimin e tij. Më vonë më mori në telefon, kanë pasur një problem te gurorja e E. Shkova në shtëpi dhe i gjeta me telefon dhe një pistoletë “Bereta” ndoshta, s’e di, të lënë mbi parvazin e shkallëve dhe më tha që ka disa problem te gurorja e A. dhe do të vish me mua të më shoqërosh. I thashë mirë, por m’u duk e çuditshme, se ne nuk njiheshim mirë, nuk m’u duk e arsyeshme.
Erion Mëhilli, Andoni, nuk ishte në gjendje, ishte i nervozuar si mund të them dhe pistoletën e mbajta unë. Për këtë arsye, që të mos bënte ndonjë gjë nga gjaknxehtësia me pistoletën shkuam në Drashovicë, u sqaruam dhe kaq.
PERFSHIRJA E SINANAJT
Disa kohë më vonë më mori në telefon dhe shkuam te Plazhi i Vjetër në Vlorë dhe më ka kërkuar të hiqja telefonat e çdo gjë që kisha në xhep dhe i hodha në ujë. Aty jemi futur në ujë deri në gjunjë dhe më tha do të them diçka, por ta mbash sekret. Unë i thashë mirë, duke menduar se ishte ndonjë budallallëk.
Më ka deklaruar se “kam vendosur të vras Sokol Veizin”. Kur dëgjova mbiemrin e ngatërrova me një mjek dhe e pyeta: “Pse, ça ka bërë doktori?” Ai më tha jo doktori, por është Sokol Veizi nga Orikumi, më tha “kam njohur një person që bën vrasje me pagesë, por nuk e di është i saktë ai vrasës me pagesë, apo punonjës shteti”.
Më kërkoi të shkoja të shikoja dhe të jepja një opinion për të. Atë pasdite që kemi bërë këtë bisedë jemi nisur nga Plazhi i Vjetër dhe kemi shkuar në Skelë. Në një rrugicë, por emrin nuk e përcaktoj dot, unë kam qëndruar në makinë. Erioni u drejtua drejt një dyqani peshku dhe vetëm pas gjysmë ore u paraqit një person me emrin Julian Sinanaj dhe unë i kisha thënë Erionit “nëse është ai që njoh unë, do të bëj shenjë me drita”, për ta siguruar.
Janë takuar bashkë. I kam bërë shenjë me drita që personi është në rregull, siç e kishim lënë. Jemi nisur me makinë, të tre bashkë, drejt Fushës së Aviacioni. Nuk e kujtoj nëse kemi pirë kafe, apo jo. Te rruga Transballkanike kemi bërë një bisedë shumë të shkurtër dhe kemi hipur në makinë dhe jemi kthyer drejt Skelës.
Më kanë ndaluar mua dhe kanë vazhduar për në shtëpi, ndërsa unë nuk e di ku kam ikur. Më pas më mori Erioni në celular dhe ai më pyeti çfarë mendimi kisha dhe e sqarova se personi në fjalë nuk është i SHIKU-t, as i Policisë dhe e thashë e njoh, se e kam takuar më parë nga një kushëri i veti L. P., ose G. I. dhe jemi takuar dy-tre herë.
Nga kjo anë të rrish i qetë dhe ai më tha ti e di ça do të bësh. Unë vazhdova për në shtëpinë time dhe pas tri ditësh, kjo periudhë bëhet fjalë në fillim të gushtit, deri ditën e vrasjes së Sokol Veizit, më ka marrë prapë në celular pas tri ditësh dhe shkova.
PERGATITJET PER VRASJEN E VEIZIT
Ai më tha gjej një motor pa dokumente, çfarëdolloj motori. Pra, Andoni më mori në celular. Më shkoi mendja për çfarë duhej motori dhe u mundova ta shtyj disa ditë dhe mendova se do të mërzitej dhe do më linte që të mos implikohesha unë. Përderisa më tha kush do të vritej dhe kush do e vriste, me shkoi mendja për çfarë duhej motori.
Më ka marrë në telefon pas dhjetë ditësh dhe më tha Erioni të shkoja te shtëpia e tij dhe filloi të më bënte presion, duke më thënë se nuk po tregohesh korrekt dhe nuk po sillesh mirë. Sqaroj se me Julian Sinanajn, diku nga prilli i vitit 2012, jam takuar bashkë me personin L. P. ose K. I., në një lokal në bregdet të Vlorës. Jam takuar për herë të dytë në një lokal në Skelë, afër Universitetit. Herën e parë K. I. më ka deklaruar “rri sa më larg se nuk është person që mund të rrish më të”. Në takimin e dytë, duke qarë halle me të, duke biseduar për punën dhe ekonominë e keqe, ai, Juliani, ka hedhur idenë për të ikur në Greqi, se mund të gjente punë andej dhe bëhej fjalë për grabitje.
Nga prilli deri në gusht, që më kërkoi Erioni për ta takuar, nuk kam pasur kontakte me shtetasin Julian Sinani. Ky ishte sqarimi që desha të bëj për Julianin. Lidhur me Erion Mëhillin dhe presionin që më bënte për faktin se nuk po çoja motorin, kam hyrë nëpër njerëz të ndryshëm dhe më kanë adresuar te një djalë që kishte një tip servisi të vogël pranë Shkollës së Muzikës, me origjinë egjiptiane dhe më ka dhënë numrin e një personi me emrin H. H. Me këtë person kam kontaktuar në telefon dhe i kam shprehur kërkesën që kisha për një motor. I kam kërkuar motorin e tij fillimisht dhe më tha “s’ta jap, por do mundohem të të gjej një tjetër”. Pas dy ose tri ditësh, më ka marrë në telefon dhe jemi takuar në Vlorë në një fast-food afër Shkollës së Muzikës. Më ka thënë motorin ta kam gjetur dhe më tha dhe çmimin, rreth 500 ose 400 mijë lekë. Pasi kam marrë këtë lajm, kam takuar Erionin dhe i thashë ta kam gjetur motorin dhe bën kaq lekë. Më tha sa të bëjë do ta blejmë.
Të nesërmen jam takuar me Erion Mëhillin dhe kam shkuar te shtëpia e tij dhe kemi dalë me makinë. Ka qenë dhe i ati dhe vëllai i tij. Kemi ndaluar te “K…” në Vlorë. Te valuta ka takuar Erioni një person dhe i mori disa lekë borxh një kambisti. Më dha lekët mua dhe jam nisur për Oshtinë. Kam takuar atë personin, pra H. H. dhe i kam thënë kam ardhur për motorin. Lekët i kam me vete, më nxirr motorin ta shikoj. Më tha e ka një komshi i imi motorin dhe thirrëm komshiun e tij. Erdhi personi me gjithë motorin. Ishte i çmontuar nga pjesët plastike. I kam dhënë lekët dhe i kam dhënë diku te 50 mijë lekë mangët. E kam marrë motorin pa pajisjet plastike. Ai tip motori quhet “Papaq”. Ka qene 125 kubikësh, ngjyrë e zezë me të kuqe dhe të bardhë me sa kujtoj unë. E kam marrë motorin dhe kam vajtur te shtëpia e Erion Mëhillit.
Kam hyrë nga pjesa e pasme dhe e futëm motorin në një depo pas shtëpisë. I kam kërkuar çelësat e makinës, që të kthehesha në Oshtinë dhe kam shkuar dhe një herë tek ai personi për të marrë pjesët plastike të motorit. Jam kthyer dhe një herë tjetër te shtëpia e Erionit me makinën e tij me targa greke. Pasi çova pjesët plastike te shtëpia, më ka kërkuar të dal në një dyqan aty afër dhe kam blerë aty, pasi kishte material ndërtimi në dyqan, kam blerë dy ose tre spraj, që e lyem me bojë dhe dorashka plastike, disa vida dhe bulona për të montuar pjesët plastike. Në shtëpinë e Erionit kemi qenë unë, Erioni dhe Julian Sinanaj. Filluam të pastrojmë për të fshirë pluhurin e motorit me benzinë, apo naftë, se mos kishte gjurmë gishtash nga persona të tjerë dhe filluam ta pastrojmë. Nga qesja, Erioni nxori një automatik të vogël tip “Scorpions” dhe ia fali Julian Sinanajt. Pasi mbaruam punën me motorin, këqyrje, mbërthim pjesësh plastike, jemi larguar gjithsekush në shtëpinë e vet dhe mendova se deri këtu ishte puna ime. E fjeta mendjen dhe ika të vazhdoj punët e mia.
VENIA NE JETE E PLANIT
Në datën 25 gusht pasdite ka marrë Erioni prapë në telefon dhe më ka kërkuar të shkoj te shtëpia e tij. Pasi vajta atje, kam qenë i vetëm në makinë, kam hyrë nga pjesa e pasme. Më ka urdhëruar që ta merrja motorin dhe ta ndiqja nga prapa. Duke qenë në këtë situatë, ngaqë e dija se kush do të vritej dhe kush do ta bënte, po të kundërshtoja, mund të isha në rrezik se ishim një rreth i ngushtë. Kam marrë motorin dhe kemi ikur në Radhimë. Në Radhimë afër një hotel, afër portit, ku qëndron policia “Delta Forcë”, kemi takuar Julianin dhe K. Mëhillin, vëllain e Erionit. Mua më kanë lënë të pres te parkimi i lokalit dhe të tre janë nisur për në Orikum. Pra Juliani, K. dhe Erioni u nisën për Orikum, për të parë vendndodhjen e personit që do të vritej, Sokol Veizin.
Pas një ore, diçka më shumë ose më pak, më thanë afrohu për Orikum. Jam nisur fillimisht në këmbë, pasi nuk desha të më shikojë dikush me këtë motor, pasi nuk e dija ça do të bëhet me të. Pasi e panë që po vonohesha, më marrin në telefon dhe më thonë “ku je”. U thashë po vij në këmbë. U nxeh Erioni, kanë marrë makinën dhe kanë ardhur të tre. Më morëm në makinë. U kthyem dhe një herë në lokal, morëm motorin dhe kemi shkuar 50 metra larg bar-restorant “L…”. Motorin e mora unë, të tjerët ikën me makinë. Jemi ulur në një lokal. Dëgjova nga bisedat se bëhej fjalë që Sokol Veizi nuk ishte në Orikum dhe dikush mund ta kishte lajmëruar. Thotë Erioni, do të shkojmë prapë se jam i bindur që është në Orikum, pasi dje këtu ka qenë. Në Orikum kanë ikur Erioni dhe Juliani.
MJETET E “KILLERIT”
Unë dhe K. kemi ndenjur në Radhimë duke ruajtur motorin dhe herën e dytë na lanë dhe një çantë. Unë dhe K. u ulëm në një lokal dhe ai u shkëput për një moment. Pak më parë, më ka kërkuar Juliani mos ta hap çantën dhe mos të prek asgjë çfarë ka brenda. Në momentin që u shkëput K. për në tualet, e kam hapur çantën për një fraksion të shkurtër 10 sekonda nga kurioziteti. Brenda pashë një kapele, një palë syze plastike ngjyrë vishnje të lehtë, dy pistoleta, njëra me silenciator, tjetra në një çantë të vogël në krah të kësaj që thashë, një palë dorashka dhe një bluzë, ngjyrën nuk e përcaktoj dot. E mbylla çantën dhe këtë gjë e bëra për t’u bindur që do bëhej vrasja vërtet apo ishte kot. Pas 20 minutash apo diçka e tillë, më merr Erioni në telefon dhe më thotë “Afrohu për Orikum”. Hipëm të dy në motor, unë dhe K., i cili mbante çantën pas. Kishim vënë doreza çorape të vjetra që të mos linim gjurmë në timon. Jemi takuar te grumbullimi, pa hyrë në Orikum. Aty ka zbritur Juliani nga makina dhe i kam dorëzuar çantën dhe motorin dhe unë me K. hipëm në makinë dhe u kthyem për drejtim të Vlorës. Kur mbërritëm në Vlorë nga ana e Erionit, pasi e kisha pyetur si do ta merrnim vesh, ai më tha e kam lënë me Julianin që kur të mbërrinim në Vlorë, do të bënim zile. ALIBIA Sqaroj se telefonat që do të përdoreshin për të bërë njoftimin ose për të dhënë sinjalin i kemi blerë te Tregu i Orizit, në një dyqan telefonash bashkë me dy numra të rinj të papërdorur. Kur kemi ardhur në Vlorë, më ka sqaruar Erioni që do t’i bëjmë zile që mbërritëm në Vlorë dhe Juliani, kur të mbarojë punë, do të na bëjë zile. Jemi ulur te lokali “K…” në Skelë, në pronësi të S. K. dhe nga Erioni më ka kërkuar mua dhe K. t’i bënim nga një xhiro nga Qendra Tregtare “U…”, për të kaluar pranë bankës. Kishte kamera aty prandaj, pasi nëse do arrestoheshim, ta kishim si alibi që kemi qenë në Vlorë. Pasi kemi bërë këto veprime, Erioni i ka bërë zile Julianit te telefoni se ne jemi në rregull dhe mbërritëm në Vlorë. Nga momenti i ziles nuk kanë kaluar 20 minuta ose 30 minuta, s’e përcaktoj dot, nga ana e Julianit na janë kthyer dy zile që të kuptonim që vrasja ishte bërë.
FESTA PAS VRASJES
Në atë moment, Erioni më ka kërkuar që të marr makinën dhe të vete te shtëpia e vjehrrës së tij dhe t’i kërkoj 100 mijë lekë të vjetër, të cilat, sipas Erionit, do të përdoreshin për të festuar “arritjen e madhe” që kishim bërë ne. Kam marrë makinën dhe kam shkuar. Mora lekët dhe jam kthyer poshtë. Në lokal ishte Erioni me K. dhe ishin duke debatuar me njëri-tjetrin. Jam afruar dhe i kam thënë si është puna, pse bëni llafe. Më ka thënë Erioni se “ky budallai paska prekur motorin me dorë”. I thashë si do t’ia bëjmë se kemi lënë shenjat e gishtave në një mjet të përdorur për vrasje. I ka kërkuar K. të largohet për në shtëpi, ndërsa mua më ka thënë do të ikim në Radhimë të takojmë Julianin, që të na thotë ku është motori, ta parkojmë dhe të fshijmë gjurmët e gishtave. Kjo ndodhi natën e vrasjes. Nuk kundërshtova dot, se isha i përlyer kokë e këmbë e nuk ndryshonte gjë.