Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, ka zbuluar sot të dhënat lidhur me furnizimin me ujë të pijshëm, nga viti 2013 deri më sot.
Gjatë fjalës së saj, Balluku tha se në krahasim me vitin 2013 kur kishte vetëm 4 zona urbane që furnizoheshin 24 orë me ujë të pijshëm, sot kemi 56 të tilla. Si dhe 98 zona rurale që furnizohen 24 orë me ujë të pijshëm.
“Do desha edhe një herë që të kujtonim dhe të kalonim me shifra se si ka qenë situata. Në vitin 2013 furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë ka qenë vetëm në 4 zona urbane. Sot kemi 43 zona urbane të furnizuara me ujë në 24 orë dhe kemi 13 kantiere, duke e çuar në 56 zona urbane me furnizim 24 orë.
Sot kemi 98 zona rurale me furnizim 24 orë dhe nga ana tjetër kemi 45 kantiere urbane të cilat janë duke u përfunduar. Na mbeten 16 zona dhe kur po bënim prezantimin strisha thoshte 100% por kërkova shifrën e saktë sepse do thonin që po bëjmë premtim. Pra kemi edhe 16 zona urbane për të përfunduar të gjithë këtë process të gjatë. Zonat që kemi lart janë 43 dhe kemi për të hapur edhe 16 zona, ne themi urbane por nuk janë në zona qëndrore. Themi 72 zona urbane të përfunduara. Këto janë shifrat që flasin vetë.”, përfundoi ministrja Balluku.
Këto shifra, ministrja Balluku i zbuloi ndërsa krah kryeministrit Edi Rama, po prezantonin nismën për krijimin e Operatorit Kombëtar të Ujit.


